Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se do të bëhen ndryshime në Kodin Penal për të forcuar me ligj Paketën e Sigurisë në Shkolla.

Përmes një shkrese, drejtuar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Taulant Balla ka propozuar shtimin e 11 neneve, që do të rrisnin më shumë sigurinë në institucionet arsimore, ku përfshihet pornografia, dhuna seksuale, apo pornografia dhe të tjera fenomene.

 

Me anë të një njoftimi në Facebook, ministri i Brendshëm shkruan se kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese.

“Jam i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, parandalimin e kriminalitetit dhe shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve tanë në të gjitha ato mjedise brenda dhe përreth shkollave të frekuentuara prej tyre”, shkruan ministri Balla.

Postimi i plotë i Ballës

Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale të mëposhtme:

Dhuna seksuale (neni 107/a);
Pornografia (neni 117);
Trafikimi i të miturve (neni 128/b);
Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278);
Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279);
Prodhimi dhe shitja e narkotikëve (neni 283);
Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a);
Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b);
Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286);
Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt (neni 291).

Jam i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, parandalimin e kriminalitetit dhe shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve tanë në të gjitha ato mjedise brenda dhe përreth shkollave të frekuentuara prej tyre.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re