Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë ka miratuar një udhëzim të ri që ndryshon mënyrën e kualifikimit dhe rinovimit të certifikatave për shoferët profesionistë të kategorive C dhe D.

Sipas rregullave të reja, kualifikimi fillestar do të përfshijë 60 orë teori dhe 10 orë praktikë, ndërsa rinovimi periodik do të realizohet përmes 35 orëve trajnimi teorik.

Një risi e rëndësishme është futja e “Kodit 95”, i cili do të shënohet në lejen e drejtimit ose CAP dhe vërteton përputhjen me standardet e Bashkimit Evropian për transportin e mallrave dhe pasagjerëve.

Programi i ri përfshin gjithashtu tema moderne si Smart Tachograph V2 dhe sistemet ADAS, që lidhen me teknologjitë e asistencës në drejtim, përfshirë frenimin automatik dhe paralajmërimet e sigurisë.

DPSHTRR do të ketë rol më të fortë monitorues mbi autoshkollat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve periodike dhe mund të çregjistrohen në rast mospërmbushjeje të kritereve.

Udhëzimi i ri përfshin edhe trajnim mbi shëndetin dhe sjelljen profesionale, si menaxhimi i stresit, efektet e alkoolit dhe parandalimi i veprimtarive të paligjshme gjatë transportit.

Rinovimi i CAP do të kushtëzohet plotësisht nga përfundimi i trajnimit të detyrueshëm prej 35 orësh, duke synuar rritjen e sigurisë dhe profesionalizmit në transportin rrugor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re