Ndryshimet e ligjit/ Qeveria përgjegjëse për borxhet e bashkive, privati që merr borxh me garant shtetin “zhvishet” nga përgjegjësitë

para-1-850x450-1.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Qeveria ka hedhur për konsultim publik disa ndryshime në ligjin për huamarrjen dhe garancinë sovrane. Ndryshimet shtojnë disa pika dhe nene në këtë ligj, që nga peridociteti i raportimit të Ministrisë së Financave në Kuvend, deri te prezantimi i konceptit të ofrimit të garancisë sovrane për subjektet private, edhe në rastet kur nuk ka një krizë, a fatkeqësi natyrore.

Sipas propozimit të qeverisë, ministri i Financave do të raportojë tre herë në vit para Komisionit të Ekonomisë dhe Financat për ecurinë e borxhit dhe borxhit të garantuar shtetëror.

Një tjetër shtesë lidhet me marrjen e borxhit nga ana e Qeverisë për nevoja të bashkive. Deri më tani, për projektet që synojnë bashkitë kanë të drejtën e marrjes së kredive vetë. Por, pamundësia për shlyerjen e tyre ka bërë që shumë bashki të vendit ta kenë të pamundur që të financojnë me kredi të reja projekte, sidomos ato madhore që janë miratuar nga Kuvendi.

Për të zgjidhur këtë ngërç, në ndryshimet e ligit të borxhit, Qeveria propozon që të marrë vetë borxh për financimin e nevojave të bashkive. Ndryshimi propozohet në një kohë që Qeveria u ka lëshuar një ultimatum bashkive në lidhje me pastrimin e territorit dhe depozitimin e mbetjeve te incineratorët dhe landfillet.

Sipas këtij ultimatumi, të shqiptuar nga Kryeministri Edi Rama në takim me kryebashkiakët, qeveria do të udhëzojë këshillat bashkiakë që të mos miratojnë buxhetet e bashkive nëse ato nuk kanë të parashikuar mbulimin e plotë të kostos së operacioneve të pastrimit dhe depozitimit të mbetjeve në landfille dhe incineratorë.

Ndërkohë, në lidhje me garancinë shtetërore të huasë, përfshihet në ligj koncepti i mbështetjes jo vetëm të institcioneve publike, por edhe i ndërmarrjeve private. Këtu, propozohet gjithashtu ngritja e një institucioni që do të ketë rol menaxhues dhe mbikëqyrës për ndjekjen dhe kthimin e garancisë.

Ndryshimi tjetër lidhet me futjen e një pike për përdorimin e borxhit dhe garancisë shtetërore për të mbështetur ristrukturimin e portofilit ekzistues të garancive shtetërore. Ky parashikim mbërrin pas dy paketave të garancisë sovrane që qeveria vuri në shërbim të biznesit gjatë pandemisë. Një paketë lidhej me biznesin e vogël, tjetra me biznesin e madh.

Gjithashtu, në ligj futet një nen i ri që zhvesh pothuajse nga të gjitha përgjegjësitë huamarrësin, kur garant ka dalë shtetit. Propozimit thotë se “borxhi shtetëror përbën një detyrim absolut dhe pa kushte të shtetit. Shteti angazhohet dhe garanton plotësisht, në përputhje me kushtet e përcaktuara për titujt e shtetit dhe në marrëveshjet e huasë, pagimin në kohë të interesave, detyrimeve të tjera dhe shlyerjen e principalit”.

Mbrojtja e huamarrësit, ku shteti ka dalë garant përforcohet edhe më tej në pjesën e dytë të përkufizimit të nenit 14 që propozohet në këtë ligj. “Tejkalimi i kufizimeve nuk mund të cenojë palët e treta, huadhënësit, ose mbajtësit e titujve të shtetit, si dhe personat, në favor të të cilëve shteti ka dhënë garanci shtetërore dhe në asnjë rast nuk sjell si pasojë pavlefshmërinë e marrëveshjeve përkatëse të huamarrjes apo lëshimit të garancive shtetërore”.

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë