Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ka dalë kundër qeverisë për ndryshimet në kodin penal përgjatë periudhës së pandemisë, duke i quajtur ato të paligjshme dhe të panevojshme për sa kohë numri i të ifnfektuarve nuk ka qenë i lartë, dhe situata është menaxhuar mirë me anë të masave admistrative. Në një lidhje telefonike me studion e Abc News, Ballanca theksoi se këto ndryshime kërkojnë një diskutim më të gjerë publik dhe se nuk po bëhen në asnjë vend tjetër të botës.

“Ky ka qenë një ushtrim interesant për drejtësinë shqiptare. Ka pasur diskutim në opinionin pubik. Masat e dënimit janë të ashpra. Këto masa të jashtëzakonshme nuk ndryshohen gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme. Unë mendoj se edhe pse mund të ketë nevojë për rregullime, mungesa e procedurës së rregullt ngre probleme. Dispozita ka ndryshuar. Ka një tjetër frymë qasje dhe diskutim publik. Ndryshimet janë kryer në kundërshtim me procedurën parlamentare. Të tilla veprime nuk janë legjitime dhe nuk janë në nderin e personave që janë në

Komisionin e Ligjeve. Është situatë e vështirë sepse masat e dënimit janë shumë të rënda. Diskutimet e djeshme sollën një ndryshim të normës. Norma ka ndarjen mes veprimeve dhe mosveprimeve. Ka një minimum nga dy vite deri në 5 vite burg. Unë mendoj se norma vazhdon të mbetet shumë e ashpër. Përgjegjësia nuk është ajo që duhet për këtë lloj vepre që do përfshihet tani në kodin penal. Edhe vendet e tjera i kanë këto dispozita, por i kanë hartuar në kohë të qetë.

Institucioni i Parlamentit është konsultuar me Avokatin e Popullit. Ne i kemi dërguar një opinion. Komisioni i Ligjeve e ka marrë në shqyrtim, por mungon debati real interaktiv. Koha është e shkurtër. Dje relatorja tregoi se ka pasur reagim të madh nga shumë organizata. Ky diskutim nuk ka qenë i mjaftueshëm dhe asgjë nuk do të ndryshonte nëse do merrnim më tepër kohë”, tha Ballanca.

Ajo theksoi se një shqetësim është edhe fakti se qytetarët nuk kanë kohë për t’u njohur me këto ndryshime dhe nuk janë të ndërgjegjshëm se po kryejnë vepër penale, ndërsa nga ana tjetër arrestimi në masë i shkelësve do të sjellë një tejmbushje të burgjeve.

“Unë kam një shqetësim shumë të madh nga këndvështrimi i qytetarit. Nuk është e thjeshtë që në këto ditë të ketë siguri për normë që do zbatojë. Kemi vënë re se një numër i madh për kufizimet nuk janë botuar në fletoren zyrtare pasi kishin hyrë në fuqi. Kjo nuk jep siguri për rregullin dhe ligjin në këtë situatë. Gjendemi para situatës së padijenisë nëse veprimi që po kryejmë është apo jo i rrezikshëm. Ka rëndësi të kemi një normë të qartë për rrezikshmërinë e veprimit të kryer. Politika penale nuk ngjan me asnjë vend tjetër në këtë kohë.

Efekti i këtyre normave për këtë situatë është shumë i kufizuar. Tashmë sistemi i drejtësisë është i paralizuar. Nuk mund të futen të gjithë shkelësit në paraburgim. Nuk ka dijeni të ketë një vend tjetër po bën ndryshimin e kodit penal në këtë kohë. Veprimet duhet të merren me menaxhim të më të mirë të sëmundjes. Qeveria ka ndryshuar ligjet duke ndryshuar masat e dënimit me gjoba, por janë në kuadrin e një kundërvajtje administrative.

Ndryshimet në kodin penal mund të bëhen pas një diskutimi të gjatë. Institucioni i Avokatit të Popullit mendon se këto dispozita nuk janë të nevojshme për menaxhimin e situatës. Nëse numrat janë të ulur pse duhet të rrisim masat. Unë them se për çfarë arsye erdhi ky ndryshim dhe ky ashpërsim kaq i madh. Unë mendoj se ndryshimet do të na sjellin probleme dhe do të na mbushen burgjet me njerëz”, deklaroi Ballanca./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re