Pas miratimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka dhënë mesazhin nga Elbasani se ka ende kohë për reflektim.

Para gazetarëve, Presidenti Meta preferoi të shfaqej i qetë duke u shprehur në mënyrë jo të drejtpërdrejtë për këtë çështje.

Sipas tij të gjithë janë të shqetësuar për zgjedhjet, përfshirë edhe BE i cili mezi pret çeljen e negociatave.

Presidenti ftoi të gjithë aktorët të jenë bashkëpunues dhe të kontribuojnë për një Shqipëri Europiane.

“Sa i takon çështjes së zgjedhjeve, meqë e keni me shumë shpejtësi dhe me të drejtë, është një shqetësim i përgjithshëm në vendin tonë dhe i vetë BE, i cili mezi pret çeljen e negociatave dhe plotësimin e disa detyrimeve.

Le të punojmë të gjithë në shërbim të kësaj bashkëjetese, ka ende kohë për të reflektuar që secili do të jetë pjesë e kontributit të Shqipërisë Evropiane që është jo vetëm një objektiv, por do të jetë një realitet i pashmangshëm, pavarësisht sfidave dhe vështirësive”, tha Meta

loading...

Edhe një herë presidenti Meta u shpreh i shqetësuar për largimin e të rinjve nga vendi dhe kërkoi prej organeve kompetente të ofrojnë siguri në mënyrë që shqiptarët ta gjejnë qetësinë në Shqipëri.

Këto deklarata Presidenti i bëri pasi ishte i ftuar nga Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan.

“Gjithë shqiptarët duhet t’i shpallin luftë largimit të të rinjve. Kjo kërkon forcimin e bashkëjetesës në vendin tonë në çdo komunitet. Unë sot jam në Elbasan sepse komunitetet dhe besimet në Elbasan janë shembull i bashkëpunimit.

Duhet ti japim më shume qetësi vendit, aq më tepër Elbasanit, i cili vuan nga problemet e sigurisë. Ti japim më shumë besim të rinjve për një të ardhme më të mirë këtu dhe të prekshme në një të ardhme të afërt. Kjo është e vetmja mënyrë që ne të realizojmë ëndrrën e të gjithë shqiptarëve që Shqipëria të jetë si gjithë Evropa”, deklaroi Meta.

loading...