Në kuadër të parandalimit të ngjarjeve kriminale të ndodhura së fundmi në Krujë janë bërë emërime të reja në Komisariatin e qytetit.

Sipas policisë në lidhje me këtë vendim është marrë shkas nga ngjarja e ndodhur në Borizanë më 06.07.2023, si dhe për të pasur më shumë rezultat përsa . përket luftën kundër krimit në përgjithësi, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe krimeve kundër jetës e pronës.

Njëkohësisht janë marrë masat dhe kryer emërimi dhe caktimi në detyrë i 26 punonësve të policisë, të marrë nga Komisariatet e tjera të Policisë në varësi të DVP Tiranë, bazuar në përvojën, eksperiencën dhe integritetin e tyre.

Bazuar në Vendimin e Këshillit të Lartë të Vlerësimit të Propozimeve për Emërim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Drejtues i Parë Tonin Vocaj, kanë firmosur ndryshimet për strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë, konkretisht:

–              Lirimin nga detyra të Shefit të Komisariatit të Policisë Krujë Komisar Elton Shahini dhe emërimin në këtë detyrë të Komisar Kreshnik Alimadhi.

–              Lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të  Komisariatit/Shef për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, Nënkomisar Ajet Bega dhe emërimin në këtë detyrë të  Nënkomisar Sadik Topuzi,

–              Lirimin nga detyra të Shefit të Seksionit në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Krujë nënkomisar Anri Nazaj dhe emërimin në këtë detyrë të Nënkomisar Dashamir Ilamaj

–              Transferimin e menjëhershëm të 26 punonjësve të Policisë të nivelit zbatues, pjesë të strukturave të njësisë operacionale, të strukturës së Policimit në Komunitet dhe të  Patrullës së Përgjithshme.

Ndryshimet e fundit, nuk erdhën vetëm si pasojë e ngjarjes së datës 06.07.2023, por dhe si rrjedhojë e një analize të gjerë të punës të bërë për 6-mujorin e  parë të vitit 2023, bazuar në statistikat e kriminalitetit dhe problematikave të tjera të rendit e sigurisë, ku një numër personash me precedent kriminal, banorë të juridiksionit territorial që mbulon Komisariati i Policisë Krujë, janë përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale me impakt tek qytetarët.

Me qëllim  forcimin e rendit dhe sigurisë në këtë territor, bazuar dhe në hartën e re gjyqësore dhe organizimit të sistemit të Prokurorisë së Përgjithshme është bërë dhe riorganizmi i strukturave për ti paraprirë një qasjeje të re të kontrollit të territorit, të evidentimit dhe goditjes së aktiviteteve kriminale si dhe për  parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në këtë territor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re