Në këtë fillimviti, Kryeministri Edi Rama bëri të tjera ndryshime në kabinetin qeveritar. Rama njoftoi dje krijimin e një ministrie të re që do drejtohet nga Blendi Gonxhja

Para këtij vendimi, Gonxhja ka mbajtur postin e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Ministria e re do të këtë në përbërje degën e Ekonomisë, që aktualisht është në varësi të Ministrisë së Financave dhe që drejtohet nga Ervin Mete. Me këtë lëvizje, Ervin Metes do t’i mbetet vetëm Ministria e Financave. Po ashtu, në këtë ministri të re do të shkrihet dhe Kultura, që nënkupton largimin e Elva Margaritit nga ministria që drejton aktualisht.

Këtë ndryshim kryeministri e komentoi si nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, duke krijuar një ministri të re. Ndërkohë që risia do të jetë edhe Inovacioni, pjesë e ministrisë së re. Ministria e Inovacionit ka ekzistuar që në vitin 2013-2017 dhe këtë post e ka pasur Milena Harito. Kjo ministri kishte në vaëesi edhe Administratatën Publike, por gjatë mandatit të dytë u vendos të ristrukturohej dhe të hiqej. Administrata Publike mbeti në varësi të DAP, ndërkohë që Inovacioni kaloi si drejtori në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

“Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, z.Blendi Gonxhja, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standardeve europiane”, – bëri me dije Edi Rama.

Sipas kryeministrit, kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër. Sektori i ekonomisë në tërë si thekson kryeministri, kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.

“Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial”, – shprehet Rama.

Po kush është Blendi Gonxhja? Aktualisht Blendi Gonxhja mban postin e drejtorit të përgjithshëm në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Më herët, Blendi Gonxhja ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës. Blendi Gonxhja ka lindur në Tiranë, më 15 qershor 1970.

Në vitin 1989, Blendi Gonxhja kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe në vitin 1993 u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve (sot UAB). Si një ndër zërat më të spikatur rinor, Blendi Gonxhja ishte ndër protagonistët kryesorë udhëheqës të Lëvizjes Studentore për Demokraci, që shpejtoi fundin e regjimit më të egër komunist të Lindjes në dhjetor 1990 dhe ndër themeluesit e partisë së parë opozitare, të erës postdiktatoriale.

Në vitin 1991 udhëhoqi grevën studentore për shembjen e kulteve të diktaturës. Përgjatë viteve të angazhimit publik, Blendi Gonxhja ka themeluar dhe drejtuar shumë organizata e shoqata rinore, joqeveritare dhe humanitare si: Federata e Rinisë, Këshilli Studentor, Fondacioni Zviceran në Ndihmë të Shkollave, si dhe ka mbajtur role kryesore në Forumin për Demokraci dhe Aleancën Demokratike.

Një angazhim i rëndësishëm ishte edhe roli si Koordinator Kulturor i të parit grup të Korpusit të Paqes së SHBA në Shqipëri. Në Korrik 1996, Blendi Gonxhja dëshmoi përpara Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në “Dëgjesën për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Shqipëri” gjatë Kongresit Amerikan. Po atë vit, iu akordua Bursa “Fullbright” në Fakultetin e Studimeve Europiano-Lindore, Universiteti i Miçiganit (SHBA). Në vitin 1998, Gonxhja u emërua si Shef i Kabinetit i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Rama, ku u angazhua për zhvillimin e politikave mbrojtëse dhe të qëndrueshme të cilat u finalizuan me njohjen e Butrintit si Park Kombëtar, krijimin e Fondacionit të Butrintit (një nga zonat më të rralla për vlerat arkeologjike dhe të ekosistemeve në rajon), zhvillimin e Projektit të Bankës Botërore për turizmin elitar, ruajtjen e Zonës së Bregdetit të Jugut, si dhe shumë projekte të tjera në promovimin e artit dhe kulturës në Shqipëri.

Në vitin 2000, Blendi Gonxhja u emërua Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Pas impenjimit si Këshilltar i Fondacionit “Rothschild” dhe “Packard” në 2003, iu dedikua aktivitetit si një sipërmarrës në fushën e shërbimeve të lidhura me transportin për pasagjerë dhe automjetet në Greqi dhe Shqipëri, duke mbajtur edhe një profil publik aktiv ndër vite. Nga gushti 2015, Gonxhja iu bashkua ekipit të ri të Bashkisë Tiranë të drejtuar nga Erion Veliaj si drejtor i përgjithshëm i Ndërmarrjes Nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re