Filloni me ndryshime të vogla

Ka shumë gjëra në përditshmërinë tuaj që mund të ndryshoni në mënyrë që të kontrolloni presionin e lartë të gjakut. Ushqyerja e shëndetshme, ushtrimet fizike si edhe ndryshimi i zakoneve të përditshme, mund t’ju ndihmojë që të mos keni nevojë për medikamente që të mbani presionin e gjakut aty ku duhet të jetë. Më poshtë do të gjeni disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë të kontrolloni presionin e gjakut.

 

  • Mbani një dietë të shëndetshme

Mund të ulni presionin e gjakut duke ngrënë shumë drithëra, fruta, perime dhe bulmet me pak yndyrë. Kërkoni ushqime që nuk kanë shumë yndyrë ose kolesterol, si: mish pa dhjamë, shpendë, peshk dhe arra. Gjithashtu edhe ushqime të pasura me proteina dhe fibra. Shmangni pijet me sheqer, mishin e kuq dhe ëmbëlsirat.

  • Humbisni peshë

Disa kilogramë më tepër  mund të ulin presionin e gjakut. Është gjithashtu e rëndësishme të vëzhgoni belin tuaj. Një masë e tepërt rreth pjesës së mesme mund të ndikojë në presionin e gjakut.

 

  • Jini aktivë

Ushtrimet fizike mund t’ju ndihmojnë të ulni presionin e gjakut dhe të humbni peshë. Synoni të bëni të paktën 150 minuta aktivitet fizik çdo javë. Kërkoni stërvitje aerobike që i bëjnë mushkëritë dhe zemrën tuaj të punojnë pak më shumë. Provoni gjëra të tilla si ecja e shpejtë, çiklizmi, noti ose kërcimi.

  • Kufizoni kripën në ushqime

Shumë natrium mund të rrisë presionin e gjakut. Duhet të synoni jo më shumë se 1500 miligramë në ditë. Ju nuk merrni natrium vetëm nga kripa që spërkatni në ushqime. Mund të fshihet edhe në ushqime të paketuara. Kripa gjithashtu gjendet në ushqime si supa, sanduiçe dhe pica.

  • Merrni më shumë kalium

Presioni i gjakut ka të ngjarë të jetë më i lartë nëse nuk merrni mjaftueshëm këtë lëndë ushqyese. Konsumoni midis 3000 dhe 3500 miligramë çdo ditë. Ku gjendet? Një banane mesatare ka rreth 420 miligramë. Një patate e pjekur me lëkurë ju jep më shumë se 900 miligramë. Spinaqi, fasulet, domatet, portokallet, kosi dhe patatet e ëmbla janë gjithashtu të pasur me kalium. Konsultohuni me mjekun përpara se të ndryshoni dietën ushqimore

  • Lehtësoni stresin

Stresi mund të ketë një ndikim në presionin e gjakut, veçanërisht nëse e trajtoni duke ngrënë shumë ushqime të pashëndetshme, ose duke pirë duhan ose pije. Gjeni mënyra për të përballuar stresin, si meditimi, joga ose frymëmarrja e thellë. Merrni kohë për t’u çlodhur dhe për të bërë gjëra që ju pëlqejnë, pavarësisht nëse është të dëgjoni muzikë, të kujdeseni për kopshtin ose të kaloni kohë me miqtë.

  • Kufizoni alkoolin

Pirja e tepërt e alkoolit mund të rrisë presionin e gjakut. Nëse jeni duke marrë ilaçe për presionin e gjakut, alkooli mund të ndikojë në funksionimin e tij.

  • Lini duhanin

Duhani rrit presionin e gjakut dhe bën më të mundshëm një atak në zemër ose goditje në tru. Kur pini duhan, ju dëmtoni mukozën e enëve të gjakut. Për më tepër, pirja e duhanit mund t’i bëjë disa ilaçe që merrni për presionin e gjakut më pak efektive.

  • Kushtojini vëmendje kafeinës

Nëse pini rregullisht kafe, sodë dhe pije të tjera me kafeinë, kjo mund të mos ndikojë shumë në presionin e gjakut. Por nëse e konsumoni rrallë, kafeina mund të shkaktojë një rritje të shkurtër të presionit të gjakut kur e pini.

  • Flini mjaftueshëm

Gjatë fjetjes presioni i gjakut ulet. Gjumi i mjaftueshëm është i rëndësishëm për shëndetin e zemrës dhe venave të gjakut. Shumica e njerëzve kanë nevojë për të paktën 7 orë gjumë të cilësisë së lartë çdo natë. Gjumë i cilësisë së lartë do të thotë që t’ju zërë gjumi brenda 30 minutave, nuk zgjoheni më shumë se një herë dhe bini përsëri në gjumë shpejt kur ju del gjumi.

  • Mbani shënime për presionin e gjakut

Kontrolloni rregullisht presionin e gjakut që të mos rritet përtej normales. Presioni i lartë i gjakut shpesh nuk ka simptoma. Pra, matja e presionit të gjakut është mënyra më e mirë për të treguar nëse dieta, stërvitja dhe ndryshimet e tjera të stilit të jetesës po funksionojnë.

  • Kontrolloni gjendjen tuaj shëndetësore

Konsultohuni me mjekun për t’u siguruar që çdo problem tjetër shëndetësor që keni është nën kontroll. Shumë njerëz me diabet kanë gjithashtu presion të lartë të gjakut. Kushtet e tjera si kolesteroli i lartë, apnea e gjumit dhe çrregullimet e tiroides janë gjithashtu të lidhura shpesh me të. Kur menaxhoni shëndetin e përgjithshëm, do të ndihmoni të mbani presionin e gjakut nën kontroll.

Burimi: WebMD / Shendeti.com.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko