Kryetari i Kryesisë ‘Nisma Thurje’, Pano Soko ka komentuar iniciativën për ndryshimin e sistemit zgjedhor përmes referendumit, ku tha se qëllimi është të shkojë direkt tek populli dhe të ulë numrin e rajoneve, ku pritet që mbledhja e firmave të fillojë këtë të shtunë nga Durrësi.

Capture

Soko tha se ‘Nisma Thurje do t’i drejtohet popullit dhe më pas do të shkohet me referendum, ku shtoi se do të jenë qytetarët ata që do të vendosin nëse e duan këtë sistem siç është apo do ta ndryshojë, a e do garën apo e do të mbyllur.

Pjesë nga biseda:

“Rruga që kemi zgjedhur, nuk është më ajo e para. Në 2020 kemi marrë një iniciativë të ngjashme për hapjen e listave. Ne zgjodhëm rrugën institucionale, ne morëm 50 mijë firma. E çuam te komisioni përkatës dhe aty u bë me hile sepse u përdor hapja e listave, le që hapja nuk u bë e plotë, por u bë me këtë herësin e tmerrshëm. U përdor hapja e listave për të hequr koalicionet.

Ne nuk do të shkojmë fare te këta, do të shkojmë te populli. Pronari i këtij vendi është populli. Është populli ai që përcakton”, tha Soko.

Por sa realisht Kushtetuta jonë na e lejon mundësinë për një referendum?

“Me ndryshimet kushtetuese që ndodhën, praktikisht do duhej që të amendohej dhe me një ligj të ri për referendumin. Por dispozitat e vjetra na mundësojnë një shteg për referendumin. Ligji për referendumet është një domosdoshmëri akute, por sot mund të përdorim dispozitat e vjetra ligjore. Pse do shkojmë te qytetarët sepse ne besojmë se sistemi në këtë vend nuk i takon ca njerëzve, u takon qytetarëve. Janë ata që do ta dizenjojnë skemën e demokracisë që duan ata. Janë ata të cilëve iu përket ky vend”, theksoi Soko.

Ai tha më tej se ne kemi një problem shumë të madh dhe se popullit ia hoqën nga dora mundësinë për të ndryshuar kushtetutën.

“Kemi sot sistemin proporcional rajonal me lista të hapura. Këta e kanë kushtëzuar në 2008 në Kushtetutë. Të drejtën për të ndryshuar Kushtetutën e kishte populli, këta thanë jo nuk merr vesh populli, të drejtën për të ndryshuar Kushtetutën e ka parlamenti se populli nuk merr vesh. E marrin vesh këta që janë në parlament. 70% të tyre nuk i njoh fare dhe vetëm këta e kanë në dorë. Popullit ia hoqën nga dora. Popullit i thanë ti vetëm do paguash taksa, do bindesh, do bësh çfarë të themi ne, por për të ndryshuar gjë nuk e ke në dorë. Jo zotëri, kjo gjë do ndryshojë dhe do fillojë nga sistemi zgjedhor. Ne kemi kryetarokraci pas 2008, kemi një individ”, u shpreh Soko.

Ai tha më tej se duhet të bindim qytetarët, të cilët nuk kanë hallin e sistemit elektoral, por se si do të shtyjnë muajin.

“Ne do të shkojmë për t’u shpjeguar qytetarëve se çmimet që kemi sot janë sepse askush nuk e vret mendjen për ta, sepse ata që janë në krye janë të fortë e nuk tremben nga qytetarët, të tillë i ka bërë sistemi.

Rama tha dilni edhe 500 mijë persona në protestë taksat nuk ndryshojnë, ku e gjen këtë besim? Te sistemi. Ajo që ne propozojmë, idealja që kërkojmë është ikja nga sistemi proporcional rajonal me 12 rajone dhe dalja me 4 ose më pak zona zgjedhore. Ne kërkojmë më fakt kombëtarin, por për shkak se duhet të ndryshojmë Kushtetutën, ne duhet të ulim numrin e rajoneve. Sot kemi një fenomen ku një parti merr më shumë deputetë se sa vota ka. Sot PS ka 48 % të votave, por ka 53 % të Parlamentit. Si erdhi kjo?

Këto mandate tepër u morën tek partitë e tjera që duhet të përfaqësoheshin në parlament, por për shkak të sistemit nuk hynë dot. Një na e morën ne. PD nga ana tjetër ka përfituar pjesën e saj. Natyrisht raporti është 1 me 2. Ndaj ata nuk janë të interesuar ta hapin këtë debat, prandaj dhe nuk shkojmë te Komisioni i Reformës Zgjedhore. Ne do i drejtohemi popullit e do shkojmë në referendum. Do pyesim popullin, a e do këtë sistem siç është apo do ta ndryshojë, a e do garën apo e do të mbyllur”, tha Soko.

Sipas tij, ky sistem bëhet për të frenuar frymën e re, hyrjen e personave të rinj në politikë.

“Prandaj kanë rënë dakord me këtë. Tani është njëherë unë, njëherë unë, s’ka më.

Zgjedhjet janë të ndershme, i hoqi qafe zoti Rama. Tani i bëri dhe të palira, këtu është hilja që zgjedhjet i fitoj njëherë unë, njëherë unë. Kosova ka këtë sistem siç ne e propozojmë”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re