Në parlament ka mbërritur ligji për të bërë disa ndryshime të rëndësishme në skemën e sigurimeve shoqërore.

Ndryshimet e reja pritet të prekin pagën maksimale, e cila sipas formulës aktuale, me ndryshimin e pagës minimale rritej me të njëjtën përqindje.

Me propozimet e reja synohet që paga maksimale të mos rritet me të njëjtën përqindje me pagën minimale, por në të njëjtën vlerë absolute me të.

Me ndryshimin e fundit paga minimale rritet nga 34 mijë në 40 mijë lekë, ndërsa ajo maksimale nga 149 954 në 176 416. Pra, ndërsa paga minimale u rrit me 6 mijë lekë, ajo maksimale u rrit me 26.5 mijë lekë, duke sjellë një barrë të më lartë tatimore për punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Me ligjin e ri, me rritjen me 6 000 lekë të pagës minimale, me të njëjtën vlerë rritet edhe ajo maksimale. Por, ai nuk pritet të ketë veprime prapavepruese mbi ndryshimet që filluan nga 1 prilli.

Me ligjin e ri në parlament shkon edhe propozimi për të hequr detyrimin për të paguar sigurimet shoqërore nga pensionistët e vetëpunësuar.

Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se pensionistët gjithmonë e më shumë po i bashkohen tregut të punës. Në tremujorin e parë të vitit 2023 besohet se 17 mijë të tillë u shtuan në treg, ku problemet sociale si emigracioni i të rinjve dhe plakja e popullsisë bëhen gjithmonë e më prezente në vend.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re