Qeveria ka ndryshuar ligjin për koncesionet dhe kontratat e Partneritetit Publik-Privat, duke ua hequr mundësinë e kontraktimit të gjitha ministrive të linjës.

Do të krijohet Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Koncesionit/Partneritetit Publik-Privat, i cili do të jetë përgjegjës kolegjial nën kryesimin e ministrit të Ekonomisë, që do të vendosë e caktojë fituesit. Këtë parashikon draftligji i nxjerrë për konsultim publik që pritet të miratohet brenda vitit. Prej vitesh, edhe opozita ka kërkuar rritjen e transparencës gjatë dhënies së kontratave koncesionare dhe PPP-të, me qëllim shmangien e rasteve abuzive dhe kostove që rëndojnë mbi buxhetin e shtetit.

Përmes një pakete ligjore të dorëzuar rreth dy vite më parë, PD ka kërkuar që ligji aktual të përjashtojë persona nën hetim, pasi ligji aktual nuk e kufizon. Ligji në fjalë mësohet të jetë hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për shkak se një pjesë e konsiderueshme e legjislacionit aktual nuk është e përafruar me BE.

PROJEKTLIGJI

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj tërësisht të ri “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, që parashikon disa shtesa apo ndryshime nga ligji aktual. Sipas draftit, do të jenë institucionet kushtetuese, institucionet e pavarura, institucionet e tjera qendrore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore apo çdo ent i themeluar për të ndjekur një interes të përgjithshëm dhe me karakter joekonomik apo tregtar.

Ndërkohë që ligji aktual përcakton si autoritetet kontraktuese ministritë e linjës dhe njësitë e qeverisjes vendore. Një ndryshim tjetër lidhet me propozimet e pakërkuara, ku sipas ligjit aktual, kompania private propozuese shpërblehet me deri në 10% bonus të pikëve totale të garës gjatë procedurës konkurruese. Drafti i nxjerrë për konsultim nuk e ka këtë parashikim, ndërsa specifikon se nuk do të pranohen propozimet e pakërkuara, të shoqëruara me studim në formë minimale.

Gjithashtu, parashikohen ndryshime mbi zhvillimin e studimit të fizibilitetit, duke hequr ndër të tjera kufizimin prej 60 ditësh nga krijimi i komisionit i dhënies së koncesionit/PPP-së që ka ligji aktual. Po ashtu, përcaktohet se do të ketë një kufi monetar të vlerës së koncesionit. Ky kufi do të caktohet me vendim qeverie. Ligji i ri përfshin një nen të dedikuar parandalimit të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, ndërsa sjell përcaktime të reja në lidhje me konfidencialitetin, një klauzolë, që shpesh përdoret për të mos bërë publike të dhënat e kontratave koncesionare. Sipas propozimeve të reja, operatori ekonomik nuk mund të klasifikojë si konfidencial: çmimin e ofertës, listën e çmimeve, katalogun, informacionin lidhur me kriteret e përzgjedhjes së ofertës, dokumentet publike, fragmente nga regjistrat publikë etj..

Një tjetër risi është edhe ngritja e Njësisë së Zbatimit të Kontratës, që do të jetë njësi e përhershme e ngritur brenda autoritetit kontraktues, përgjegjëse për menaxhimin e kontratës së koncesionit/Partneritetit Publik-Privat.

FUSHAT E ZBATIMIT TË KONCESIONEVE

a) Transport (sistemin e hekurudhave, transportin hekurudhor, portet, aeroportet, rrugët, tunelet, urat, parkimin, transportin publik).

b) Prodhim dhe shpërndarje e energjisë elektrike dhe energjisë për ngrohje.

c) Prodhim dhe shpërndarje e ujit, trajtim, mbledhje, ujitje, drenazhim, pastrim i kanaleve dhe digave.

ç) Menaxhim i mbeturinave, duke përfshirë mbledhjen, trajtimin, transferimin dhe depozitimin e tyre.

d) Telekomunikacion.

dh) Shkencë dhe arsim.

e) Turizëm, argëtim dhe hoteleri.

ë) Kulturë dhe sport.

f) Shëndetësi.

g) Shërbime sociale.

gj) Burgje dhe infrastrukturë gjyqësore.

h) Rehabilitim i tokës dhe pyjeve.

i) Parqe industriale, miniera dhe infrastrukturë të ngjashme për mbështetjen e biznesit.

j) Strehim.

k) Godina të administratës publike, teknologji e informacionit dhe infrastrukturë e bazës së të dhënave.

l) Shpërndarje e gazit natyror.

ll) Rehabilitim dhe zhvillim urban dhe suburban.

m) Ndriçimi publik në territorin e njësive administrative vendore.

n) Bujqësi.

nj) Kontrata të tjera në sektorët utilitar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko