Prej dates 1 mars hyn në fuqi ligji i ri për punësim në gjermani. Siç dihet tashmë ligji i ri krijon mundësi të reja për punëmarrësit nga shtetet që nuk janë pjesë e BE-së, që kanë një kualifikim të njohur në Gjermani dhe të cilët kërkojnë të nisin një marrëdhënie punësimi në Gjermani.

ÇFARË ËSHTË LIGJI RRETH IMIGRIMIT TË FUQISË PUNËTORE TË KUALIFIKUAR?

Ligji
rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar u mundëson punonjësve
të kualifikuar në arsim profesional nga shtete jashtë Bashkimit
Evropian (Shtete të Treta) të emigrojnë më lehtë në të ardhmen në
drejtim të Gjermanisë, nga i cili ligj pritet të përfitojnë më së shumti
vendet si Kosova e Shqipëria.

Përcaktimet ligjore ekzistuese për punonjës të kualifikuar me
diplomë të shkollës së lartë/universitare vazhdojnë të mbeten të
vlefshme.

Gjithsesi për hyrjen në Gjermani me qëllim nisjen e një
marrëdhënieje punësimi apo kërkimin e një vendi pune do të vazhdojë të
jetë e nevojshme pajisja me vizë, për të cilën duhet të aplikoni pranë
Ambasadës Gjermane .

Ndërsa për punëkërkuesit me kualifikim të pamjaftueshëm, ose
kualifikim profesional që nuk njihet në Gjermani, vlejnë edhe më tej
rregullat e deritanishme.

KUSH KONSIDEROHET SI FUQI PUNËTORE E KUALIFIKUAR SIPAS LIGJIT TË RI?

Si fuqi punëtore e kualifikuar konsiderohen të diplomuarit në
universitete si dhe personat me një kualifikim në arsimin profesional që
njihet në Gjermani.

Punësimi është i mundur vetëm në atë profesion për të cilin keni
marrë më parë kualifikimin përkatës. Një diplomë profesionale
konsiderohet zakonisht si e kualifikuar dhe njihet, nëse në Gjermani ajo
do të merrej pas një periudhe dy-tre vjeçare të arsimit profesional.

Ç’DUHET TË BËNI QË TË MUND TË MERRNI NJË VIZË PËR NISJE TË PUNËSIMIT NË GJERMANI?

Së pari duhet të njihet kualifikimi dhe më pastaj të parashtrohet kërkesa për vizë.

E rëndësishme është që ju fillimisht të bëni njohjen zyrtare të
kualifikimit tuaj të huaj nga autoritetet përgjegjëse në Gjermani.

Punëkërkuesit e kualifikuar duhet të fillojnë këtë procedurë me
kohë. Këtë mund ta bëjnë edhe para hyrjes në fuqi të rregullave të reja,
në mars të vitit 2020.

Sapo të merrni njoftimin zyrtar për njohjen e kualifikimit dhe keni
një ofertë konkrete për një vend pune në Gjermani, mund të aplikoni si
fuqi punëtore e kualifikuar për vizë, në mënyrë që të shkoni në Gjermani
dhe të ushtroni veprimtarinë profesionale për të cilën jeni
kualifikuar.

Nëse keni një diplomë të kualifikimit profesional së paku dy
vjeçare, apo diplomë universitare të lëshuar nga një shkollë/universitet
gjerman, atëherë nuk është e nevojshme nisja e procedurës për njohjen e
diplomës.

ÇDO TË THOTË KJO KONKRETISHT PËR PROCEDURËN E APLIKIMIT PËR VIZË PRANË AMBASADËS GJERMANE

Parashtrimi i kërkesës për vizë është i mundur pas datës 1 mars 2020.

Terminet mund të caktohen vetëm në qoftë se e keni në dorë njohjen e
diplomës mbi kualifikimin profesional, gjegjësisht diplomës
universitare. Në këtë rast, luteni të caktoni një termin nëpërmjet
sistemit të caktimit të termineve të Ambasadës Gjermane.

Ambasada i përditëson rregullisht informatat në faqen e saj të
internetit dhe me kohë do të publikojë informata të tjera lidhur me
procedurat e vizave e për të cilat do të njoftoheni edhe ju me kohë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re