Skip to content

“Në 10 vite jetë, 3 fle në spitale”, “Nana Sem” flet për vështirësitë e 37 viteve punë si mjeke: Ne nuk dalim kurrë në pension

Kur përmend fjalën “Nana Sem”, i gjithë stafi mjekësor i Spitalit Rajonal të Shkodrës e kupton që flitet për mjeken kardiologe Semiha Pirani. Suksesi dhe emocioni më i madh i karrierës së saj mund të konsiderohet pikërisht kjo shprehje që e shoqëron çdo ditë në punë ku përballet nga mjekë të njohur, të cilët janë trajnuar nga vetë ajo dhe sot shërbejnë për dhjetëra pacientë në ditë.

“Emocionohem shumë kur më thonë mjekët që ti ke qenë e para që më ke mësuar të punoj e të dua pacientin, të dua profesionin”, më rrëfeu mjekja, e cila ka përfunduar shërbimin e saj prej 2 vitesh, por më tha një shprehje që nuk do largohet asnjëherë nga mendja ime “thinja e bardhë është vlerë”.

Doktoreshë Semiha Pirani ka plot 37 vite që qëndron pranë të sëmurëve. Për të më kishte folur edhe doktoreshë Dhurata Uruci, ndaj arrita ta dalloj teksa vinte me shpejtësi, e veshur me pantallona blu dhe bluze të bardhë. Ajo po nxitonte që të vinte pranë meje për të zhvilluar bisedën pasi më vonë kishte vizitat mjekësore.

Kur po më afrohej, vura re një grua që kishte qëndrim sa të hekurt, aq edhe të ëmbël. Sytë e saj të zinj që i shihja gjatë gjithë bisedës përtej xhamit të syzeve që mbante më përcillnin një qetësi të madhe, aq sa mendoja se pacientët e saj mund të konsiderohen me fat që i kuron një mjeke si ajo. Pasi më dhuroi një buzëqeshje, hyri menjëherë në temë duke më thënë: “Shpejtësia shëron”.

“Dua të mbështetem tek fjala që shpejtësia shëron sepse ne mund të jemi duke bërë muhabet dhe dikush të pësojë arrest kardiak”, më tha doktoresha 62-vjecare Semiha Pirani, e lindur në qytetin e Shkodrës.

Më tregoi se kur përfundoi gjimnazin nuk ia kishte idenë mjekësisë, por ia sugjeruan dhe nuk reshti asnjëherë që të studionte fort për të arritur ku është sot. Vitet kalojnë me shpejtësi, por mjekja nuk e mendon pensionin dhe pavarësisht lodhjes, në mendjen e saj nuk ekziston largimi nga profesioni deri ditën e fundit ndaj i shërben çdo pacienti që shkon në prag të derës, edhe nëse orari i vizitave ka përfunduar.

 “Më pëlqen të punoj dhe që në moshën tuaj jam investuar në profesion. Kjo më është bërë pjesë e jetës dhe në asnjë vend të botës, mjeku nuk del në pension. Nesër mund të mos punoj në spital, por nuk dal në pension. Themi 10 veta, bëjmë 20 veta. Për shpirt i themi hajdeni pasdite në shtëpi se këtu nuk kemi por na vjen keq e punojmë më shumë se duhet”, thotë kardiologia.

Në përditshmëri, askujt nuk mund ti besohet se me çfarë përballen mjekët. Duken thjesht si njerëz që japin një kurë, por përjetimet e tyre shpesh herë të bëjnë të përlotesh.

Semiha Pirani përfundoi Fakultetin e Mjekësisë, bëri dy specializime, për Patologji të përgjithshme dhe Kardiologji në Tiranë. Në fillimet e saj, punote në Kosmac, një fshat të qytetit ku nuk munguan rastet e hidhura. Teksa më tregonte historinë e trishtë të jetës, mendoja “si mund të jetojë pa makthe e të vazhdojë punën me më shumë forcë”?

Me një zë thuajse të mbytur, doktoresha kujton momentin kur një grua shtatzënë u shfaq me dhimbjet e lindjes dhe nuk pranonte të shkonte në Tiranë për trajtim: “Në atë kohë nuk kishte aparat që ndjen zemrën e bebit. Kisha një si punë tubi që quhej stetoskop obstetrik gjinekologjik dhe mundohesha që ta ndjeja fëmijën, por jo. Nuk e ndjeja. I thashë do të shkojmë në Tiranë.  Ajo refuzonte të shkonte dhe mu desh të prisja një bebe të shumëpritur por të vdekur”.

Pavarësisht këtij rasti të hidhur, doktoresha nuk iu nda gruas duke i kushtuar vëmendje me vizita mjekësore derisa u bë nënë sërish. Pas disa vitesh vështirësi, ku duhet të rriste dy vajzat e saj dhe të kryente specializime në të njëjtën kohë, ia doli që të transferohej në Spitalin Rajonal të qytetit.

“Nëse unë them që ngarkesa e punës ndër 10 vjet jetë, 3 vjet flej në spital, dikujt mund ti duket çudi sepse bëjmë roje dhe kemi jo të lehtë për tu larguar nga puna”, tha doktoresha.

Ndonëse e largoi shpesh herë nga familja, profesioni e ndihmoi që ti shërbente fëmijëve dhe komunitetit ku jetonte sa herë që kishin sëmundje duke i diagnostikuar e dhënë kurën e duhur.

Nuk ka më bukur se të shpëtosh jetë, por doktoreshë Semiha nuk ia sugjeroi profesionin të bijave. Njëra studioi arkitekturë ndërsa tjetra që dëshironte mjekësinë vazhdoi studimet për farmaci pasi nëna i tha: “Kur e kam filluar, nuk e kam ditur që ka kaq përgjegjësi. Nuk jam pishman se të jep shumë kënaqësi, por i largohet familjes”.

Kjo përgjegjësi për punën e ndjek edhe në ditët e sotme kur i duhet të punojë si mjeke roje një herë në 3 netë pasi të gjithë pacientët në pavion duhet të jenë nën përkujdesin e mjekëve.

“Me kod pune, që 50 vjeç, ne nuk duhet të bëjmë roje dhe këtë e kanë bërë për të na ruajtur. Ne e bëjmë këtë dhe fuqishëm. Jemi 4 mjek që duhet të mbajmë një pavion për 30 ditë. Kështu që llogarit sa roje kemi”, tha Pirani.

Problemin me të rinjtë që duan të bëhen mjekë e lidh me marrëdhënien që kanë me pacientin duke e cilësuar “difektoze”. Në gjykimin e saj, thotë se “këshilla e vetme është që edhe unë sot mendoj që ndoshta për momente të caktuara, a kam qenë në atë forcë që duhet ti jap mjekësisë. Këta sot kanë formim tjetër, shkollim tjetër, vijnë me një status tjetër dhe mendoj që marrëdhënia me pacientin është shumë më difektoze se i kanë marrë gjërat shumë kollaj.”

Nuk mbeti jashtë bisedës korrupsioni i shumëpërfolur në mjekësi, për të cilin Semiha Pirani mohoi kategorikisht që ekziston. Më përmendi klinika të huaja ku pacientët në shenjë mirënjohje dhurojnë cek për spitalin në mënyrë që të shtohen pajisjet mjekësore diagnostikuese. U binda që është një mjeke të cilës nuk i bën përshtypje “5 mijë lekëshi në xhep” për ti dhënë trajtim pacientit pasi ka shërbyer për një kohë të gjatë falas vetëm që ti vinte në ndihmë popullit.

“Kam shkuar edhe në ndihmë të Pukës, kam vizituar një kishë falas për 10 vite pa u lodhur kundrejt asnjë pagese, kështu që tek unë nuk ka për të ndodhur kurrë as korrupsioni, as padëshira e punës. Nuk mendoj se ka korrupsion tek bluzat e bardha”, më shpjegoi doktoresha duke më bërë edhe një krahasim të pagave të mjekëve me ato të gjykatësve.

Më tha, “E dalloni vetë ku është korrupsioni”, pasi u shpreh se paga e një mjeku që shpëton jetë është baza 400 mijë lekë të vjetra, ndërsa gjykatësi paguhet 1 milionë e 200 mijë.

Puna e ka përballur me këto kushte jo të lehta, shprehet krenare që ka shërbyer në Spitalin Rajonal të Shkodrës, një eksperiencë që ndoshta nuk do e përjetonte në vende të tjera.

“Spitali i Shkodrës është rajonal, i kënaqshëm dhe na bën krenarë sepse këtë gjë nuk e gjen në asnjë qytet, të pastër, të rregullt, pa erëra dhe kjo falë personelit të mesëm dhe të ulët që vazhdojnë të investojnë në mënyrën e tyre në këtë pavion.

Ne si staf kemi punuar më pak mjekë e infermierë më parë, por me mënyrën tonë, me orare, rregulla, me regjim pune dhe unë jam në moshën e pensionit dhe ndihem krenare që sot më shumë se kurrë kam pasur fatin ti shërbej këtij komuniteti.”

/faxweb