Skip to content

“Në 2025 prodhimi industrial, 15.3% më i ulët se në 2021”/ Tabaku: Shqipëria po humbet garën me rajonin, ekonomia po fundoset

Jorida Tabaku parlament

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për humbjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë përballë vendeve të rajonit, duke argumentuar se modeli aktual ekonomik nuk po krijon bazën e nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim real në tregun europian.

Përmes një reagimi, Tabaku thekson se integrimi europian nuk duhet parë thjesht si proces anëtarësimi, por si një garë e përditshme për tërheqjen e investimeve të huaja, zhvillimin e teknologjisë, rritjen e eksporteve dhe krijimin e vendeve të punës me paga më të larta.

Sipas saj, mirëqenia materiale e familjeve shqiptare vijon të jetë ndër më të ulëtat në rajon. Rreth 40% e buxhetit familjar, thotë Tabaku, shkon për ushqime dhe pije joalkoolike, ndërsa kostot e qirasë, energjisë dhe banesës rëndojnë më tej mbi familjet.

Deputetja e PD-së ndalet te performanca e industrisë shqiptare, duke iu referuar të dhënave të Eurostat. Ajo thotë se në vitin 2025 prodhimi industrial i Shqipërisë ishte 15.3% më i ulët krahasuar me vitin 2021, ndërsa nga 35 ekonomi europiane vetëm Ukraina kishte një rezultat më të dobët.

Në të kundërt, sipas Tabakut, Serbia e ka rritur prodhimin industrial me 8.8% gjatë së njëjtës periudhë, duke tërhequr investime në sektorin automotive dhe duke zhvilluar prodhimin e automjeteve, pajisjeve elektrike dhe pjesëve të këmbimit për tregun europian.

Tabaku argumenton se zhvlerësimi i euros ka goditur eksportuesit shqiptarë, pasi të ardhurat e tyre janë kryesisht në euro, ndërsa pagat, energjia dhe kostot e tjera paguhen në lekë. Sipas saj, efektet janë veçanërisht të ndjeshme në sektorin fason, ku preken drejtpërdrejt mbi 130 mijë familje, por problematika shtrihet edhe në manifakturë dhe industri.

“Turizmi dhe ndërtimi mund të kontribuojnë në ekonomi, por nuk mund të jenë të vetmit motorë të një vendi që kërkon të zhvillohet dhe të konkurrojë në Europë”, shprehet Tabaku.

Ajo kritikon gjithashtu politikat e qeverisë për zhvillimin e industrisë automotive, duke sjellë si shembull projektin e pistës së Formula 1 në Elbasan. Sipas saj, Shqipëria ka nevojë për fabrika dhe zinxhirë furnizimi dhe jo për projekte që nuk zëvendësojnë një strategji të mirëfilltë industriale.

Edhe në sektorin e teknologjisë, Tabaku thotë se përjashtimet tatimore nuk janë të mjaftueshme. Ajo kërkon arsim cilësor, sundim të ligjit, financim, kërkim shkencor dhe një klimë konkurruese që, sipas saj, do të mundësonin krijimin e një ekosistemi teknologjik dhe tërheqjen e investitorëve seriozë.

Deputetja e PD-së e lidh situatën me modelin ekonomik të ndjekur gjatë viteve të fundit, për të cilin pretendon se ka favorizuar përqendrimin e tregjeve, monopolet dhe përdorimin e pasurive kombëtare në favor të një pakice.

Në përfundim, Tabaku kërkon një ndryshim të modelit ekonomik, përmes një ekonomie që prodhon dhe eksporton, taksave më të ulëta dhe të parashikueshme, konkurrencës së lirë, meritokracisë dhe mbështetjes reale për sipërmarrjen.

“Integrimi europian nuk na e dhuron konkurrueshmërinë. Ajo fitohet çdo ditë. Dhe sot, fatkeqësisht, Shqipëria po e humbet këtë garë”, përfundon Tabaku.