Skip to content

“Në 2027 Shqipëria mbyll negociatat”/ Eurodeputeti Schieder: Optimist për ecurinë e integrimit. Zgjedhjet? Të realizuara mirë

Raportuesi i PE, për Shqipërinë, Andreas Schieder ka zhvilluar një komunikim me gazetarët, duke nënvizuar se Shqipëria në 2027 mbyll negociatat.

Gjithashtu mesazhi i tij ishte që Shqipëria të punojnë me qëllimin që të arrijë objektivat e synuara. Ndërsa një koment të dhënë për zgjedhjet ai ka thënë se ishin zgjedhje të realizuara mirë, duke shtuar “shpesh politikanët në Shqipëria nuk i lexojnë siç duhet raportet”.

Teknikisht, ekziston një mundësi e mirë që në nëntor të hapet kapitulli i fundit. Kjo do të thotë se Shqipëria do t’i ketë të gjithë kapitujt e negociatave të hapur. Kjo gjithashtu do të thotë se në vitin e ardhshëm, 2026, do të jetë viti kur mund të fillojë mbyllja e kapitujve, njëri pas tjetrit.

“Jam shumë optimist se vitin e ardhshëm mund të përmbyllet një pjesë e madhe e kapitujve, ndoshta disa prej tyre edhe para përfundimit të vitit. Kjo do të thotë se deri në vitin 2027 ekziston një mundësi reale që të gjithë kapitujt të jenë mbyllur. Ka një prirje në politikën shqiptare për ta bërë çdo situatë më dramatike sesa është në të vërtetë. Disa përdorin terma për zgjedhjet që nuk gjenden askund në raport, dhe e paraqesin situatën në mënyrë traumatizuese. Dhe u kam thënë atyre që e ekzagjerojnë: Ju lutem, flisni për atë që thotë realisht raporti. Zgjedhjet u zhvilluan mirë nga ana teknike, ishin moderne, me pajisje dhe procedura bashkëkohore. Por mbetet një listë reformash që duhen ndërmarrë për të garantuar barazi më të madhe mes forcave politike.

Kjo përfshin: reformën zgjedhore, çështjet e financimit të partive dhe fushatave, aksesin në media, transparencën e pronësisë mediatike dhe përmirësimin e ligjit për median. Kam mësuar gjithashtu se mënyra se si shihet puna e SPAK-ut shpesh varet nga kush ndikohet prej saj. Kam dëgjuar shumë kritika ndaj SPAK-ut, shpesh nga persona që vetë janë nën hetim, ndërsa ndoshta nuk e kuptojnë se edhe nga pala tjetër, nga qeveria apo opozita, nga persona që po hetohen po ashtu”, tha ai.