Ka qenë një prej mësuesve të Normales së Elbasanit. Mbi supe i ka 37 vite si mësues. Ish mësuesi Rudolf Deliana sot është 91 vjeç dhe kujton me mall kohët kur ka punuar për t’i dhënë dritën e dijes nxënësve.

 “Kam dy mbesa. Njëra është në vitin e dytë (fakultet) e tjetra në vitin e parë në gjuhësi. Mesa dëgjoj prej tyre, shkolla ka shkuar përpara. Por për fatin e keq, shumë rregulla nuk zbatohen. Shpesh më thonë se pedagogët ikin, u thonë kemi punë. Në kohën tonë kjo nuk ndodhte.

Unë punova 37 vite si mësues, nuk kam humbur asnjë orë, asnjë orë mësimi nuk e kam lënë pa e bërë, përveç rasteve kur nuk kam qenë në shkollë, se më kishin ngarkuar me detyra të tjera. Për shembull një periudhë u ngarkova me rrogat e mësuesve. Me një fjalë, ishim të ndërgjegjshëm. Ishte edhe frika në atë kohë, se mund të të çonin në një zonë më të thellë, shumë larg shtëpisë… por mund të të them, puna bëhej”- shprehet ish-mësuesi në intervistë për faxneës.

Vitet e fundit në Shqipëri, festa e 7 marsit është kthyer edhe në një ditë kur prindërit u japin fëmijëve të tyre dhurata të shtrenjta për mësuesit. Prej kohësh, lulet apo një kartolinë janë zëvendësuar me dhurata. Ish profesori i matematikës tregon se ky fenomen është i tepërt dhe pa kuptim.

“Vërtet nuk ka kuptim fare. T’i dërgosh një vazo me lule a diçka të vogël. Por kjo tjetra është sikur je fukara e unë po të bie një copë mish që të hash dhe ti… pa kuptim. Por e di çfarë më kujton kjo, një shprehje, “fukarallëk, maskarallëk”….”-thotë ish mësuesi i matematikës.

Në fund të fjalës së tij, profesor Deliana ka këtë urim për mësuesit.

“Përpiquni që fëmijët t’i mësoni sa më mirë. Përpiquni t’i përgatisni, që nesër ata të dinë më mirë se ju… unë ju them me gjithë zemër mësuesve, gëzuar festën, e shpresoj të gëzoni në familjet tuaja”-përfundoi profesori.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re