Partia Agrare Ambientaliste dhe Agron Duka do të mbështesë në zgjedhjet e 6 marsit kandidatin më të mirë, pavarësisht nëse ai propozohet nga Sali Berisha apo nga Lulzim Basha.

 

Duka thekson se çarja e Partia Demokratike, ul mundësitë që opozita të fitojë në 6 bashkitë ku do te mbahen zgjedhjet, por kur bashkimi duket i pamundur, partia që ai drejton do të zgjedhë kandidatin.

 

AGRON DUKAKRYETAR PAA

“Unë mendoj që bërja palë më një grup apo me grupin tjetër ndihmon përçarjen. Kështu që ne kemi vendosur të mbështesim një kandidaturë që na duket më e pershtatshme për një bashki të caktuar, që mund të jetë e një grupi apo e grupit tjetër.”

 

Duka pranon se prej muajsh nuk ka asnjë ftesë nga Basha dhe as nuk pritet një ftesë në ditët në vijim; duke qartësuar se i vetmi që i ka kërkuar bashkëpunim ka qenë Sali Berisha

 

“Me zotin Basha nuk jemi takuar, nuk kemi asnjë lloj ftese. Gjasat janë që nuk do të ketë takim sepse për një javë fillojnë procedurat. Ndërsa nga zoti Berisha kemi pasur sinjale, unë personalisht jam takuar me z. Berisha, nuk kam konkluduar për asnjë lloj vendimi.”

 

Për shkak të sistemit zgjedhor është e vështirë të masësh peshën e partive të vogla në 6 bashkitë që shkojnë në zgjedhje; por nëse shohim votën personale në Bashkinë e Durrësit, Agron Duka ka marrë 3.641 vota dhe meqënëse fituesi ndahet edhe me një votë të vetme, është e rëndësishme se me cilin do të rreshtohet Partia Agrare Ambientaliste.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re