Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka hequr paralale mes situatës në vitin ’90, kur sundonte diktatura dhe situatës së sotme.

 

Sipas tij, sot është një situatë më kritike, ose po aq kritike sa atëherë.

 

“Pse është më kritike? Nuk mund ta mohojmë se revolucioni ynë në vitin 1990 ishte zinxhir. Diktaturat ranë njëra pas tjetrës.

 

E vërteta ishte se për Shqipërinë ishin jo të paktë, po të shumtë, ata që mendonin që të qëndrojë siç është, një muze i socializmit, një Kubë në Adriatik.

 

E thotë shumë bukur ish-ambasadori gjerman, Verner Daum. Thotë se qeveritë tona nuk ishin dakord që të destabilizohej Shqipëria.

 

Në revolucionin tonë atëherë, ishte vetëm një ambasador që na erdhi, ai ishte ambasadori i republikës mike të Hungarisë.

 

Sot ku jemi? Sot jemi në kushtet ku nuk kemi këtë kaskadë.

 

Por a kemi sot një narkoshtet apo një monokraci, një diktaturë krimi nga më të fuqishmet dhe më të rrezikshmet që ka njohur bota ndonjëherë?”, ka thënë Berisha.

 

Më tej Berisha është ndaluar te situata ndër vite në partinë që ai sot drejton.

 

Sipas tij në 9 vite, PD-ja e humbi nervin.

 

“Dhe mos mendoni se e kemi fituar plotësisht akoma. PD-ja ka nevojë të frymëzohet nga revolucioni i ’90-ës.

 

Revolucionin sot do ta fitojnë vetëm ata që i besojnë revolucionit të vitit 1990.

 

Ku ishim në ’90-ën? Ishim në grevë urie, në marshime, në qytete e fshatra për të çuar dritën e së vërtetës. Na gjuanin me gurë, na gjuanin me dru, por vazhduam rrugën tonë”, ka thënë Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re