Në kryeqytetin Riad tëArabisë Saudite kanë nisur bisedimet midis palëve jemenase nën kujdesin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC).

“Bisedimet e sotme ndiqen nga afër nga të gjithë jemenasit, mes shpresave për të arritur një zgjidhje midis rivalëve”, tha sekretari i përgjithshëm i GCC-së, Nayef al-Hajraf, në hapjen e bisedimeve.

“Një zgjidhje paqësore është e vetmja rrugë për krizën në Jemen”, theksoi ai.

Bisedimet e mbështetura nga GCC synojnë të shqyrtojnë mënyrat për rivendosjen e paqes në Jemen, vend i cili është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Husein Ibrahim Taha, tha se dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur konfliktin 8-vjeçar në Jemen.

“Populli jemenas ka të drejtë të aspirojë për një jetë të denjë dhe një të ardhme më të mirë”, shtoi ai.

Rebelët Huthi kanë bojkotuar bisedimet, duke kërkuar që dialogu të mbahet në një “vend neutral”.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Huthi që ndërlidhen me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë kryeqytetin Sana.

Konflikti ka krijuar një nga krizat më të rënda humanitare të shkaktuara nga njeriu, ku sipas vlerësimeve të OKB-së, gati 80 për qind të popullsisë së vendit ka nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare dhe më shumë se 13 milionë janë në rrezik nga uria.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re