Në datën 11 shtator fillon zyrtarisht shkolla në vendin tonë, për vitin akademik 2023-2024.
Nxënësit janë në ditët e përgatitjeve për këtë fillim të ri.
Tregjet janë të mbushura plot me çanta të reja. Kancelarit gjithashtu.
Fëmijët do e gjejnë veten një vit më të rritur. Këto ditë shoqërohen me emocione të përziera nga ana e tyre. Janë të gëzuar që do të takohen me shokët dhe shoqet, por jo edhe aq shumë për faktin se do fillojnë rutinën me orare të përcaktuara.
Një nga pyetjet që u bëhet rëndomë nxënësve në ditën e parë të shkollës është: si dhe ku i kaluat pushimet e verës? Ndoshta pa u menduar gjatë se ka disa kategori fëmijësh: Ata që kanë patur mundësi të bëjnë pushime dhe të tjerë që nuk e kanë patur këtë fat, për shkak shumë rrethanave dhe mbi të gjitha për arsye ekonomike.
Për këtë arsye ka fëmijë që druhen në ditën e parë të shkollës sepse nuk kanë një përgjigje të mirë për pyetjen se si e kanë kaluar dhe çfarë kanë bërë gjatë verës, sepse ndoshta ajo që ata kanë bërë ka qenë veç mbijetesa. Pasi shkollat nuk janë vetëm në qendër të Tiranës dhe fëmijët nuk shkojnë vetëm në shkolla private ku familjet kanë mundësi të paguajnë.
Sipas psikologëve kjo situatë duhet shmangur.
Ndoshta shumë prindër dhe mësues, mund të mos jenë dakord me këtë ide, por si thoni t’i respektojmë njëherë ata që nuk kanë mundësi!?
Për të folur për fillimin e vitit të ri shkollor, emocionet, sfidat, por edhe duke u ndalur tek pyetja mbi pushimet, ne kemi folur me psikologen dhe pedagogen e Fakultetit të Shkencave Sociale, ArjanaMuçaj.
-Arjana, si janë rikthimet në shkollë për nxënësit, pas pushimeve të gjata?
Rikthimi në shkollë për nxënësit pas pushimeve verore është një emocion pozitiv pasi ka të bëjë me rikthimin tek grupet sociale ku ata bëjnë pjesë gjatë vitit shkollor. Entuziazmi që tashmë janë një vit më të mëdhenj i kthen ata plot energji dhe ide të reja për vitin e ri shkollor.
Në fakt fëmijët përjetojnë dhe stres, pasi fillon të ndryshojë dhe rutina e tyre e përditshme nga oraret e gjata të gjumit tek oraret fikse të zgjimit dhe të planifikimit të orëve mësimore të studimit në shtëpi, por edhe të kurseve që shumica e fëmijëve ndjekin gjatë vitit shkollor.
