Në 10 vitet e fundit janë vrarë 958 gazetarë, njoftoi Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk.

Në të njëjtën periudhë, më shumë se një mijë prej tyre përfunduan në burgje, tha Türk në fillim të konferencës për mbrojtjen e gazetarëve në Vjenë.

“Këto shifra janë të papranueshme,” tha ai.

Takimi u organizua nga OKB-ja dhe Ministria e Jashtme e Austrisë për të shënuar dhjetëvjetorin e Planit të Veprimit të OKB-së për Sigurinë e Gazetarëve.

Mbrojtja më e mirë e gazetarëve është e nevojshme

Türk e konsideron sukses që gjatë ekzistencës së planit të veprimit, në rreth pesëdhjetë vende u krijuan ose u forcuan mekanizmat për mbrojtjen e profesionistëve të medias.

Edhe pse numri i gazetarëve të vrarë ka ardhur duke u zvogëluar vitet e fundit, është e nevojshme të investohet shumë më tepër në mbrojtjen e gazetarëve, tha ai.

 “Çdo kërcënim ndaj gazetarëve është kërcënim për të drejtat e mia, të drejtat tuaja dhe të drejtën e gjithsecilit për lirinë e informimit, mendimit dhe shprehjes”, theksoi Türk.

Ai kërkoi që autoritetet të luftojnë më aktivisht kundër dhunës ndaj gazetarëve. Që nga viti 2006, vetëm 13 përqind e vrasjeve të lidhura me median janë ndjekur penalisht me sukses, tha ai. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re