Nikoll Prendi, 7-vjeçari gjeni, që reciton mbi 3000 vargje të Fishtës i ka bërë një apel të gjithë shqiptarëve për të qëndruar në shtëpi në një kohë kur koronavirusi, po merr jetë njerëzish në të gjithë botën.
Në një mesazh të shkurtër që është bërë viral në rrjet, vogëlushi u kërkon të gjithëve që të kujdesen për familjarët e tyre, dhe kohën në karantinë ta kalojnë duke lexuar sa më shumë libra.
“Në emër të dashurisë që keni për fëmijët tuaj, prindërit, motrat, vëllezerit, ju bëj thirrje: Qëndroni në shtëpi. Hidhini telefonat dhe lexoni sa më shumë libra. E kemi shijuar jetën çdo ditë, por të paktën tani tregojeni qytetarinë tuaj dhe bindjuni rregullave,”-thotë 7-vjeçari.
Deri më tani numri i personave të infektuar në vendin tonë ka shkuar në 277 me vetëm 18 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit. Numri i viktimave ka shkuar në 16, pasi ka vdekur dje në spitalin Infektiv një 76-vjeçar nga Durrësi. 9 persona janë shëruar, duke e çuar në 76 numrin e personave që fitojnë betejën me koronavirus. Sakaq, në shërbimin infektiv aktualisht janë 81 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar.