Presidenti Hashim Thaçi ka dekoruar gjeneralin amerikan Wesley Clark me Medaljen Presidenciale Jubilare të 10-vjetorit të Pavarësisë.

Thaçi thotë se kjo dekoratë për gjeneralin Clark vjen si mirënjohje edhe për mijëra qytetarë e ushtarë amerikanë, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën.

 “Gjeneralin amerikan, Wesley Clark, i cili ishte shumë këmbëngulës për të siguruar lirinë dhe paqen në Kosovë, sot e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë. Populli i Kosovës i është përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjeneralit Clark”, shkruan Thaçi në Facebook.

Kujtojmë se ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, gjatë qëndrimit në Prishtinë në një konferencë për media tha se NATO duhet të qëndrojë edhe për një kohë të gjatë në Kosovë.

Ai tha se kjo nuk është koha e duhur për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe se një hap i tillë duhet të ndërmerret vetëm pas normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re