Skip to content

Në fokus marrëveshja për emigrantët/ Ministri italian sot në Shqipëri, takohet me kryeministrin Rama dhe…

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, viziton sot Shqipërinë, ku do të takohet edhe me kryeministrin, Edi Rama.

 

Mësohet se fokusi i kësaj vizite do të jetë marrëveshja mes dy vendeve për emigrantët.

Po ashtu ministri italian pritet të vizitojë edhe Shëngjinin, ku edhe do të ndërtohet kampi për emigrantët.

Sipas Ministrisë së Jashtme italiane, Tajani do të vizitojë edhe Njësinë Kufitare Detare të Guardia di Financa në Durrës, i krijuar fillimisht për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, misioni i financuesve tanë, i cili operon prej 26 vitesh në Shqipëri, luan një rol kryesor në luftën kundër trafikimit të paligjshëm nga deti dhe trajnimin e forcave të policisë shqiptare.

Në mbrëmje, para se të kthehet në Romë, ai do të bëjë një vizitë të shkurtër në Universitetin Katolik Nostra Signora del Buonconsiglio.

PEZULLIMI I MARRËVESHJES NGA GJYKATA KUSHTETUESE

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese në 13 dhjetor mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët afrikanë duke sjellë automatikisht pezullimin e saj deri në një vendim përfundimtar të dhënë nga gjykata.

Seanca e parë, pritet të mbahet në 18 janar, 2024 ku palët do të paraqesin pretendimet e tyre dhe më pas brenda 3 muajve, Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim mbi marrëveshjen.

Kryemistrja italiane, Giorgia Meloni u shpreh se e respektonte vendimin e gjykatës dhe se do të priste deri në një vendim përfundimtar. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.

NJOFTIMI I MARRËVESHJES 

Marrëveshja, e para e këtij lloji për një vend të BE-së, u njoftua nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama gjatë një takimi dypalëshe në Romë.

Sipas marrëveshjes, Italia do të ndërtojë dy qendra pritjeje në Shqipëri për të strehuar emigrantët e shpëtuar në Detin Mesdhe nga autoritetet italiane, të cilët më pas do të zbarkohen në qytetin bregdetar shqiptar të Shëngjinit.

Çdo qendër do të ketë kapacitetin për të strehuar deri në 3.000 migrantë në të njëjtën kohë, shpjegoi Meloni, me synimin për të akomoduar rreth 36.000 aplikime në vit. Nga skema do të përjashtohen gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat vulnerabël.

Infrastruktura do të paguhet nga Roma, ndërsa Tirana është angazhuar të ofrojë shërbime sigurie dhe mbikëqyrje të jashtme. Nisja është caktuar për pranverën e vitit 2024.

Veçanërisht, qendrat do të qeverisen nën juridiksionin italian, një pikë që ka ngritur shqetësime për zbatimin jashtëterritorial të ligjit italian dhe të BE-së në një vend jashtë bllokut 27 anëtarësh.

“”