Ish të përndjekurit politikë në vendin tonë vijojnë kërkimet për personat e vrarë gjatë regjimit komunist. Në fshatin Kuç të Bashkisë Shkodër është një vend ku dyshohet se janë groposur me dhjetëra persona.

Kryetari i shoqatës së ish të përndjekurve politikë në Shkodër, Zenel Drangu, tregon se ky ka qenë një vend i rrethuar me tela dhe roje, ndërkohë para 5 vitesh ka marrë pjesë në zhvarrosjen e 4 të pushkatuarve, por thotë se ka edhe të tjerë. Apeli i Drangut shkon ndaj punonjësve që kanë qenë pjesë e pushkatimit që të tregojnë për të ndihmuar familjarët e të pushkatuarve.

“Këtu ka qenë një vend i rrethuar me tela me gjemba dhe me roje. Këtu me ndihmën e familjarëve janë gjet dy trupa para 5 viteve trupat e tyre të vrarë në kohën e komunizmit. Rojet e dikurshëm dinë dhe nuk tregojnë cfarë ka këtu në këtë zonë. Ka edhe shumë të tjerë që ka të groposur këtu”, tha Zenel Drangu, Kryetar i shoqatës së ish të përndjekurve politikë Shkodër.

Ndërkohë, Xhavit Lohja, është një ish i dënuar i atij regjimi dhe banor i zonës. Ai tregon se në këtë vend kanë sjellë të pushkatuar edhe nga zona të tjera, ndërkohë që ruhej nga shumë policë.

“Unë kur jam liruar në vitin 1982 më kanë marrë me makinë në Spac. Kur kam gjetë këtu trupa rojesh. I rrethuar me tela me gjemba. Ruanin radiostacionin, këtu kanë pushkatuar dhe i kanë groposur këtu njëri mbi tjetrin. Familjarët e mi e dinin se këtu i pushkatonin ose i vrisnin në Pukë dhe i sillnin i varrosnin këtu që mos e gjenin familjarët. Vetëm policë ishin 6 me tre turne përvec civila të sigurimit. Ata dinë dicka polici ose nënpunësi, këtu ska qenë ferra dhe e dinin kur bëheshe gropa masive që varrosnin njerëzit, kot i pushkatonin dhe i sillnin këtu. Nga gjitha zonat i dënonin me vdekje dhe i varrosnin këtu pasivisht”, tha Xhavit Lohja, ish i burgosuri.

Sipas të dhënave, në Qarkun e Shkodrës janë evidentuar 401 të pushkatuar gjatë regjimit komunist.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re