Një tjetër operacion mbarë kombëtar është zhvilluar nga policia kundër shpërndarësve të lëndëve narkotike. “Tempulli 2”, operacion i cili ka nisur prej disa javësh, është finalizuar me 66 hetime proaktive.  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se në total në rang vendi janë kapur 273 persona, duke goditur 7 grupe kriminale që trafikonin dhe shisnin drogë kryesisht në zona urbane.

Qyteti që mban peshën më të madhe është Elbasani. Drejtori i policisë së këtij qyteti Ilir Proda tha se 5 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa janë ekzekutuar edhe 18 urdhra ndalimi.

Lexo edhe :Related Posts

Proda konfirmoi në një intervistë për edicionin e lajmeve në Vizion Plus me Aleksandër Furxhiun, se një nga të arrestuarit është edhe anëtari i këshillit bashkiak, i cili i përket koalicionit të djathtë.

Ai më tej tha se Elbasani, i cili njihej gjerësisht për problematikat e veta, sot është më i qetë, ndërsa puna e policisë vijon pa ndërprerje në këtë qytet.

Intervista e plotë:  

Furxhiu- Elbasani ka qenë një nga pikat kryesore e këtij operacioni të madh. Në Elbasan janë arrestuar 23 individë apo jo?

Proda- Elbasani ka mbajtur peshën e vetë në këtë operacion kombëtar. Në fazën e dytë janë ekzekutuar 18 urdhra ndalimi, 5 janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 1 është arrestuar në muajin dhjetor.

Furxhiu- Një nga të arrestuarit është edhe anëtari i këshillit bashkiak të Elbasanit. A e konfirmoni?

Proda-Kjo nuk ka rëndësi për hetimin tonë se çfarë funksioni ka. Është e vërtetë, njëri nga të arrestuarit është anëtar i këshillit bashkiak.

Furxhiu-Është i Partisë së Lirisë?

Proda-Është i koalicionit të djathtë.

Furxhiu-Qyteti i Elbasanit prej vitesh është në listën e qyteteve ku krimi ka gjetur terren dhe dukuria e krimeve të rënda ka qenë e theksuar. Si është situata e krimit në Elbasan dhe kush janë vështirësitë tuaja?

Proda-Është e njohur nga të gjithë që Elbasani ka pasur një situtë të ngarkuar kriminale. E padiskutuar që situata në Elbasan është më e qetë. Lufta vazhdon, por jemi në ujra më të qeta. Goditjet e një pas njëshme kanë dhënë kontributin e vetë në këtë drejtim që Elbasani të jetë një qytet më i qetë./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re