Diplomati Shaban Murati, përmes një interviste të dhënë për emisionin “Pasdite me Xhaxhiun”, foli për situatën e Kosovës në arenën ndërkombëtare pas arrestimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Pyetjes së gazetarit Xhaxhiu se a kanë si qëllim ndërkombëtarët të spastrojnë klasën politike në Kosovë përmes Speciales, Murati u shpreh se nuk e mendon një gjë të tillë.

Ai thekson se me procesin në Hagë po gjykohet shteti i Kosovës dhe pavarësia e saj. Sipas diplomatit situata aktuale vjen si pasojë e diplomacisë shqiptare, e cila nuk reagoi në momentet kur disa shtete europiane filluan të aplikonim doktrinën e simetrisë së faji, ku i cilësonin si serbët agresorë dhe shqiptarët viktima me përgjegjësi faji të njëjtë.

“Mua më duket që kjo nuk është primare. Nëse faktori ndërkombëtar kërkon që të ndryshohet garnitura politike në çdo shtet, kjo ndodh. U ndryshua garnitura në Libi, iku Gadafi, u ndryshua në Egjipt, iku Mubaraku, jo më në një shtet ballkanik që është shumë e lehtë ta ndryshosh elitën. Kryesorja për mua është që në Hagë po gjykohet shteti i Kosovës dhe pavarësia e Kosovës.

Kjo është ajo që ne duhet ta kishim kuptuar, të paktën diplomacia jonë duhej t’i kishte paraprirë kësaj çështjeje. Që në vitet e para ne kemi parë nga një pjesë e diplomacisë europiane doktrinën e simetrisë së fajit. Ajo ishte shkalla e parë që më pas kalon në përmbysjen e së vërtetës.

Një pjesë e diplomacisë europiane filloi të promovonte doktrinën e simetrisë së fajit, që në Jugosllavi fajin e kanë pasur njësoj si boshnjakët që u vranë, si serbët që i vranë, si shqiptarët që u vranë si serbët që i vranë. Kjo duhet të ishte kundërshtuar me kohë, por ne kemi një sëmundje të diplomacisë shqiptare që nuk flasim”, tha Murati.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re