Ministrja e Shëndetësisë ka publikuar një mesazh të shkrimtares Helena Kadare, e cila apelon për vaksinimin e të rinjve. Kadare thotë se të rriturit i kanë shpëtuar murtajës së Covid në sajë të vaksinimit dhe tashmë është radha e nipërve dhe mbesave sipas saj që të imunizohen.

“Tërë jetën time kam qenë në krah të mendimit të të rinjve, edhe kur ai ka qenë ekstravagant apo në kundërshtim me logjikën ‘e pastër’. Sepse sido që të jetë ai, mendimi i rinisë, në të gjitha rastet është më i përparuari, është i lirë, i hapur, kurajoz.

Për herë të parë në jetën time të gjatë, gjithmonë pro tyre, mendimi im po bie ndesh me ta. Është vaksina kundër Covidit që na ndan.

Ne, të rriturit, i shpëtuam kësaj murtaje në sajë të vaksinës. Por, në nje bilanc të shkurtër, çfarë na duhet neve jeta pa nipërit e mbesat tona? Sepse tani vala po godet ata”, thotë në mesazhin e saj Kadare.

Duke apeluar për vaksinim ndaj COVID-19, Helena Kadare bën këtë thirrje: “E kam të pamundur t’i gjej logjikën refuzimit të vaksinës prej tyre. Është njësoj si t’i thuash Jetës jo, në favor të mosqenies! Kaq e thjeshtë”, shkruan Kadare në mesazhin e saj.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re