Rreth 4,000 punëtorë në industrinë petrokimike të Iranit, të cilët janë në grevë për pagat e ulëta dhe kushtet e punës në jug të vendit, një rajon kyç i prodhimit të energjisë, do të pushohen nga puna dhe do të zëvendësohen, njoftoi media shtetërore.

“Një numër punonjësish sezonalë kanë hyrë në grevë” në industrinë petrokimike “duke përmendur kushte problematike”, tha një zyrtar i lartë i paidentifikuar iranian, përgjegjës për zonën ekonomike të energjisë në provincën Fars.

Sipas tij, ata do të zëvendësohen me punëtorë të rinj.

Punëtorët e naftës dhe gazit në Iran po kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira strehimi dhe transporti.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se disa protesta të punëtorëve ishin të dobishme për vendin.

Në vitin 2022, Irani pati disa valë grevash nga mësuesit dhe shoferët e autobusëve, të cilët denoncuan pagat e ulëta dhe koston e lartë të jetesës.

Rezerva më e madhe e gazit në botë

“Këto protesta ndihmojnë qeverinë dhe sistemin të kuptojnë. Dhe në disa raste kur ndërhynë institucionet përgjegjëse, si gjyqësori, u konstatua se punëtorët kishin të drejtë”, tha Khamenei gjatë një takimi me punonjësit.

Zona e Veçantë Ekonomike e Energjisë Fars është në juglindje të provincës jugore të Bushehr ku nafta dhe gazi nxirren nga një fushë e madhe në ujërat e Gjirit.

Është rezerva më e madhe e njohur e gazit në botë, të cilën Irani e ndan me Katarin. Aty punojnë rreth 40 mijë njerëz.

Në tetor, autoritetet arrestuan punëtorët në një tubim sindikal ndërsa protestonin për pagat e papaguara.

Që nga viti 2018, ekonomia iraniane është nën sanksionet e vendosura nga SHBA, e prekur nga inflacioni galopant dhe një rënie rekord e vlerës së monedhës, rialit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re