Skip to content

Në kërkim nga Italia për drogë/ Kapet në Portin e Sarandës 50-vjeçari, tentoi të dilte nga vendi me dokumente false (EMRI)

Nga shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port Sarandë, në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe falë bashkëpunimit me Interpol Tiranën, u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimin, i shtetasit në kërkim ndërkombëtar:

-Ermal Kostare alias Denis Rama, 50 vjeç, banues në Tiranë, rezident në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky shtetas është paraqitur në sportelin e daljes nga Republika e Shqipërisë dhe gjatë verifikimit të pasaportës që ka paraqitur, punonjësit e Policisë Kufitare kanë krijuar dyshime mbi identitetin e tij dhe e kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë.

Pas verifikimeve të imtësishme, përmes pajisjes biometrike të gjurmëve të gishtave dhe krahasimit me të dhënat e dërguara nga Interpol Tirana, u konfirmua se 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe përdorte dokument identifikimi (pasaportë të Mbretërisë së Bashkuar) me gjeneralitete të tjera, për t’iu shmangur identifikimit.

50-vjeçari shtë dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane me 18 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit, në Itali.