Bashkia Shkodër ka bashkëbiseduar disa herë me tregtarët e Zdrales. Shqetësimi për kushtet ku tregtohet është ngritur disa herë.
“Kushtet e tregtimit në rrugë, aq më shumë në një situatë pandemie të krijuar nga COVID-19, janë të papranueshme për shendetin e qytetarëve, por edhe vetë tregtarëve. Kërkohen kushte rigoroze higjienike, jo vetëm në hapësira publike, por edhe në dyqane. Kësisoj tregtimi në rrugë nuk lejohet. Ndërkohë është shumë e domosdoshme që në Shkoder, aq më shumë në kushtet e vështirësive ekonomike, të gjejmë mundësi e lehtësi për t’i ofruar fermerëve e tregtarëve për të punuar e jetuar. Ky është një problem që kërkon zgjidhje.”
Për 88 tregtarët e Zdrales, prej të cilëve rreth 10 janë të regjistruar dhe kanë paguar detyrimet, ka vijuar puna për gjetjen e një zgjidhjeje më të qëndrueshme.
“Po komunikohet me palë të treta, për vënien në dispozicion të hapësirave të përshtatshme për tregtim dhe krijimin e kushteve të nevojshme për tregtim, me sinjalistiken e nevojshme horizontale dhe vertikale, kushtet higjienike, për shitjen ditore të produkteve bujqësore të fermerëve. Në këtë linjë, po punojmë për të siguruar hapësirën për të gjithë duke mundësuar fillimin e vendosjes sa më shpejt të tezgave në vendet e tregtimit për fermerët, në hapësirën e lejueshme për ushtrim aktiviteti tregtar.”
Tregu i fruta-perimeve në Zdrale është i mbyllur prej tre javësh në kuadër të masave të marra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Disa tregtarë u pritën këtë të hënë nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi për të dëgjuar shqetësimet e tyre.