Nga Namir LAPARDHAJA –

Në këtë qytet mund të gjesh qen pa hesap. Ndërkohë që njerëzit pakësohen, çuditërisht qentë shtohen stoikisht.

Kur them qen kam për qëllim atë “kafshë gjitare shtëpiake,
mishngrënëse, me trup mesatar, që ka nuhatje shumë të mirë, që afrohet
shumë shpejt me njeriun dhe që mbahet për të ruajtur shtëpinë, bagëtinë
etj., për gjah e për punë të tjera”.

Ky është përkufizimi i fjalorit të gjuhës shqipe për qenin, mirëpo
qentë në këtë qytet janë lëshuar rrugëve, duke e shpërfytyruar qasjen
leksikore ndaj tyre.

Ti del të takosh një mik e, në vend të tij, të shfaqet një qen. Ecën
për të bërë një shëtitje në bulevard e të zë rrugën një lukuni qenësh të
zgjebosur, prej të cilëve nuk duhet vetëm të qëndrosh larg, por
frigohesh se mos sëmundja e tyre qenërore, nëpërmjet ajrit, të ngjitet
edhe ty.

Ndërsa, pak më tej, teksa je shkëputur prej rrezikut të dhëmbëve të
qenit, instiktivisht, me gishtin tregues, bën tek llapa e veshit të
djathtë disa lëvizje të shkujdesura. (Është instiktive, jo e qëllimshme,
që të merremi vesh për këtë punën e veshit).

Pa vetëdije fillon dhe imiton veprimet putërore të qenit, ngase të
duket sikur një zotëri kërpush të është ulur këmbëkryq dhe është duke
kuvendur bash në cepin më jugor të organit tënd të dëgjimit.

Që të jemi të ndershëm me lexuesin e vëmendshëm dhe aspak miqësor
ndaj qenve të tillë, si përfundim më duhet të them se kjo kategori
qenësh prej kohësh ka hequr dorë nga gara me sivëllezërit e tyre në
radhët e njerëzve.

Qentë e dinë se jeta prej qenësh është ku e ku më dinjitoze se ajo
shprehja krejt pa vend e njerëzve, “jetë qeni”, kështu që në mbledhjen e
radhës në sheshin para pallatit të kulturës së qytetit, një ndër pikat e
diskutimit të kongresit të tyre do të jetë edhe heqja e togfjalëshit
“jetë qeni” dhe zëvendësimi i tij me një tjetër.

Një ndër diskutimet më të nxehta është që “qeni” të zëvendësohet me
“njeriu”, mirëpo ka pasur pakënaqësi të forta që kanë shkuar deri në
kuisje, ndaj ngelet që vendimi të zyrtarizohet në një moment tjetër për
të shmangur përplasjet brenda grupit.

Duke u marrë kaq gjatë me qentë e këtij qyteti, që s’kanë asnjë
ngasje të tillë shpirtërore që t’i bëjë të marrin plaçkat e të largohen,
unë harrova se për çfarë do të shkruaja tjetër, kështu që derisa të
kujtohem po e mbyll me kaq këtë meselenë e qenve.

*Shkrimi është marrë nga facebook-u i autorit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re