Një konflikt i pazgjidhur mes dy familjeve në fshatin Kozarë të Kuçovës, Salla dhe Avrami, po vijon prej muajsh dhe ka degjeneruar deri në përplasje fizike. Shkaku është bërë një gardh dhe një pëllëmbë tokë që ndan pronat e tyre.
Përplasja mes fqinjëve ka detyruar edhe ndërhyrjen e policisë në disa raste, ndërsa autoritetet lokale duket se nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e situatës.
Ekipi i emisionit investigativ “Tak Fak” udhëtoi drejt Kozarës për të dëgjuar nga afër rrëfimin e palëve. Sipas Lume Sallës, gjithçka filloi më 23 shtator të vitit të kaluar, kur fqinja e saj po punonte tokën dhe traktoristi që ndihmonte në punime shkuli aksidentalisht gurin ndarës të kufirit.
“Kur i thashë traktoristit pse e shkule shenjën që ndante tokat tona, ai nuk foli. Më pas më erdhi komshiu dhe më akuzoi mua. Më shtyu, më hodhi në tokë. Traktoristit i erdhi keq dhe e vuri shenjën në vend, por komshiu nuk e pranoi dhe e lëvizi përsëri”, tregoi Lumja për gazetaren e “Tak Fak” Rovena Cerka.
Sipas pretendimeve të Lumes, fqinji i saj Maksim Avrami ka spostuar kufirin për të përfituar tokë nga parcela e saj.
Bëhet fjalë për një zhvendosje me vetëm një pëllëmbë, por që ka mjaftuar për të ndezur një konflikt të ashpër mes dy familjeve.
Megjithëse konflikti është i njohur prej muajsh, njësia administrative e Kozarës nuk ka ndërhyrë për të ndërmjetësuar ose zgjidhur mosmarrëveshjen.
Kjo neglizhencë ka krijuar një situatë të tensionuar, që mund të përshkallëzohet më tej në mungesë të ndërhyrjes së institucioneve përkatëse.