Mekanizmat përgjegjës për luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë, kohët e fundit, kanë rritur numrin e aktakuzave kundër zyrtarëve të profilit të lartë.

Këtë e konfirmon edhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, por nuk në këtë fazë thotë se s’mund të jap informacione, pasi që procesi mund të dëmtohet.

“Kohëve të fundit kemi vërejtur shumë aktakuza dhe kallëzime penale të shtruara nga agjencia, por edhe aktakuza të ngritura nga prokuroria. Kryesisht këto aktakuza janë të profilit të lartë. Pra, janë ngritur disa aktakuza të profilit të lartë, por është domethënëse që këto aktakuza të mos hidhen poshtë, por të ketë aktgjykime dënuese”, ka deklaruar Havolli për Radion “Evropa e Lirë”.

Kurse kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi bën të ditur se javën e kaluar në Prokurori është regjistruar vetëm një rast i ngritur i aktakuzës së nivelit të lartë të korrupsionit.

“Është ngritur një aktakuzë kundër Emin Beqirit [ish-drejtor i krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës]dhe Rrahim Hashimit. Është rasti i shënjestruar me shenjen D/V, që ne e kemi si prioritet që t’i përfundojmë këto raste më shpejt. Prokuroria Speciale ka ngritur ketë aktakuzë dhe e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, tha Bytyqi.

Shkalla e lartë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar janë theksuar në pothuajse të gjitha raportet ndërkombëtare si dhe në raportet hulumtuese të organizatave vendore, si “një prej problemeve më të mëdha të zhvillimit të Kosovës.

Lufta kundër korrupsionit dhe rezultatet konkrete në këtë drejtim janë pjesë e kushteve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re