Një telefonatë nga doktori i mirënjohur Kristaq Pavli më nxiti të hyja në dosjet e arkivave të teatrit të Vlorës. Doktori me shumë mirësjellje më kërkonte disa foto nga rolet e aktorit të ndjerë Agim Shuka interpretuar këtu, në teatrin tonë. Ja kërkonin familjarët për ndonjë botim apo dokumentar në kujtim të aktorit të mirënjohur që u largua nga kjo jetë në mënyrën më tragjike të mundëshme, në vitin e largët ’92.

Ky brez, ndoshta nuk e njeh fare Agim Shuken, ose ndoshta mund ta ketë parë në ekran në ndonjë film a si “dajo Zenua” tek komedia ” Shi në plazh”, por shumica nuk e dinë që Agimi ka qenë një ndër aktorët “primarë” dhe nga më të mirët e trupës së teatrit profesionist të Vlorës, ish “7 Nëntori” dhe sot “Petro Marko”. Aktor nga ata prej vërteti, plot talent dhe nur skenik, me një vokal, temperament dhe plastikë aktoriale mjaft të admirueshme. I domosdoshëm dhe shumë i kërkuar nga pothuaj të gjithë regjisorët e teatrit dhe kinemasë.

Për gati njëzetë vjet, ai, kontribuoj suksesshëm me dhjetra role dhe kryerole në teatrin e Vlorës , në dramë dhe komedi, duke realizuar figura artistike me nivel shumë të lartë e duke u bërë një emër elitë përkrah emrave të tjerë të teatrit tonë si Liza Laska, Albert Verria, Vaso Godo, Sandër Pogaçe, Adem Gjyzeli, Vangjel Panozaqi, Llambi Kaçani, Atiqet Bendo, Afërdita dhe Jorgaq Tushe, Ali Roshi, Astrit Hasho, Bujar Asqeriu, Arqile Nasho dhe shumë e shumë të tjerë.

Shumë nga shfaqjet ku Agimi ka interpretuar si : ” Sinjali i Kuq”,” Shokët “, “Jatagani”, “Fytyra e dytë “, “Lidhur si fishekë gjerdani”, “Njerez te brezit tone”‘ ” Buka e duarve tona”, ” Kur mbyllim fontanen”, ” Shqipet e sterralles “, “Shpartallimi ” dhe shumë të tjera, kanë mbetur në fondin e artë të kësaj trupe. Në 1986 Agimi largohet nga teatri i Vlorës dhe shkon në Tiranë si pedagog i mjeshtërisë së aktorit ne ILA, sot Universiteti Arteve , detyrë të cilën e mbajti gjer në fund të jetës së tij.

Agim Shukes ja prenë jetën në mes, vetëm 50 vjeç, e vranë brutalisht në ato kohë të trazuara dhe të rremujshme të vitit 1992, dhe akoma sot e kësaj dite vrasësi dhe motivi vrasjes, nuk janë gjendur ! Është ndoshta rasti i vetëm në botë, i vrasjes së një artisti kaq mizorisht dhe krimi, i pa zbardhur ende.

E kujtuam krejt rastësisht sot aktorin tonë Agim Shuke, pa patur ndonjë përkujtimore apo ndonjë motiv jubilar, por thjesht nga një telefonatë e doktorit të mirë Kristaq Pavli për të nxjerre nga arkiva disa foto që i duhen familjes së të ndjerit aktor… por ja që kërkimi nëpër arkiva na bëri të kujtojmë të mirin Agim Shuke si dhe shumë aktorë të teatrit tonë të Vlorës të cilët nuk jetojnë më. Qofshin të paharruar !

Nga Genc Demiraj

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi, sipas nenit 80, ligji 35/2016

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re