Nga Sokol Parruca

– Dëshmitë e rralla të juristit të njohur Sokol Parruca, për ikonat e futbollit shkodran ndër vite, si; Halepiani, Hasa, Rragami, Rakiqi, Bizi, Dani, Zhega, etj.,artistëve si Vasija, Tërshana, Aliaj, Ljarja, etj., si dhe personazhe të tjerë emblematikë të atij qyteti, etj. –

E vështirë të shkruash për ish-futbollistët e ekipit “Vllaznia” të Shkodrës ndër vite, pa qenë studiues dhe specialist futbolli, por unë po hedh impresionet, për ata që njoha, preka e i pashë, për trajnerët e moshave, pa pretenduar se po them gjithçka që meritojnë. E padyshim gjykoj se është e pamundur të mos përmendsh, Ernest Halepianin.  Kam qenë rreth 9 vjeç, nuk e mbaj mend me cilin shok të lagjes kam shkuar për herë të parë, te “Parku i Pionierëve”, pranë ish-shkollës “11 Janari”, për të filluar stërvitjen në sportin e futbollit. Aty ishte trajner për fëmijët, një burrë i shkurtër, flokë me kaçurrela të imët, me një fytyrë që i ndrinte nga mirësia.

TË BUKURAT VAJZA SHKODRANE

Ndjesë, se po përmend emrat pa leje e, ndofta pa dëshirën tuaj. E di se nuk është etike, por e pamundur që brenda kontureve të bukurisë së një qyteti, të mos përfshiheni dhe ju, të mos keni pjesën tuaj, hisen tuaj.

Për bukurinë femërore të vajzave shkodrane kanë shkruar pena të shquara, kanë thurur vargje e poezi poetët më të mëdhenj, janë frymëzuar e u kanë kushtuar këngë e muzikë kompozitorë klasi, sepse profili juaj, bukuria juaj është art në vete, që për ju nuk mund të shkruajë kushdo, veçse pena të bukura.

Mua më falni, se këta rreshta kurrsesi nuk janë në nivelin që ju meritoni, unë jam një bashkëqytetar që nuk ka kurrfarë lidhje me artin e të shkruarit, por jam thjeshtë një vëzhgues i vëmendshëm i qytetit tim, që kërkon të rrëfejë, për çka ka fiksuar e ruajtur në kujtesë për vajzat e një kohe, që shkëlqenin me bukurinë dhe stolisnin duke zbukuruar panoramën e qytetit.

Për mua, ato ishin “Mise” mbi “Miset” e kësaj kohe, se ato ishin të bukura e të madhërishme në thjeshtësinë e tyre. Ato nuk patën mundësi të laheshin në vaska me shampo nga më të shtrenjtat, por laheshin me “ujë e sapun” e, me dushe vajguri.

Ato nuk vinin kurrë parfum por kundërmonin gjithë rrugën kur kalonin me aromën dehëse të parfum-trupit të tyre. Visheshin me një fustan basme, por ndrinin a thua se ishin veshur nga stilistët më të mëdhenj të botës.

Këpucët e sandalet i kishin nga më të lirat, por merrnin vlerë, se ato mbanin këmbët më të bukura, shtatet më të hijshme, fytyrat si të bëra me dorë, piktura të gjalla, të denja për t’u hedhë në telajo vetëm nga dorë mjeshtrash të tillë, si Van Gogu, Matis a Shagall…!

Në vitet e hershme Hollivudi kishte bukuroshen Greta Garbo, por ne kishim Qamilen, së cilës djemtë e kohës i thurnin vargje e këngë. Bota mahnitej me Liz Tejlor, ne kishim simotrën e saj, ndofta më e bukur, Ana Jakova, por ndërsa Liz, jetonte në mes famës e luksit, Ana jonë shiste gjakun e trupit, për të mbajtur burrin e saj në burg, të famshmin këngëtar, basin Luk Kaçaj.

A mund të imagjinoje që të shihje në gjiron e Piacës e të mos ta shoqëroje me sy të bukurën Violeta Ashiku e nëse do të mund të organizohej sot konkursi “Mis Mosha” në botë, me siguri Violeta Ashiku e, Zyhra Tukiqi Kraja, do të nderoheshin me çmime.

Diku në një strofull të ngushtë e të ftohtë qëndiste e rregullonte çorape, Dhurata Mulleti, por atë e kishte qëndisur Zoti me dorën e tij. Po ku ka më si Poli Ingriz, me atë trup të gjatë si selvi, ata sy të mëdhenj të zi e me bisht! A keni parë trup më të bukur se ai i Kjara Ashtës? Nuk e di si nuk këputej ai bel i hollë tek mbante atë trup shpatullgjerë.

Si mund të mos binte në sy eleganca e finesa e Nineta Verbicës. A ju kujtohen sa të ëmbla, të bukura e tip ishin Ana Shkreli, Terezina Çapaliku, Valderozi, Klaudia Shllaku, Viola Duka, Zana Omari, motrat Kastrati, Suela Lekaj e, shumë të tjera.

Po Meri Topalli e Ina Çoba, që nuk guxonim t’i hidhnim shikimin se të trondiste bukuria e tyre, të heshtura, serioze, ato ecnin rrugëve të qytetit kryelartë, të vet dijshme për çka përfaqësonin, për mençurinë, kulturën e klasin që kishin.

Bota krijoi e krenohej me kukullën “Barbi”, por edhe ne kishim kukullën tonë, Nermin Rusi, me ata sy të jeshiltë e flokët krela-krela, ishte porsi një kokonë, shkodrania jonë. Mjerisht ato jetuan në një kohë të papërshtatshme.

Në vend që t’i lumturoheshin bukurisë, shpesh herë ajo u kthehej në vuajtje e torturë, të rrethoheshin nga një shoqëri ekstremisht maskiliste, nuk mund të trokisnin në një zyrë shteti për një punë a hall, se ndesheshin me zyrtarë të neveritshëm, me defiçencë shpirtërore e seksuale, në një shoqëri, ku djemtë i krenoheshin njëri-tjetrit me numrin e dashnoreve, duke gënjyer e përgojuar vajza që as u afroheshin dot, pale t’ju fitonin zemrat e tyre.

E kësisoj, herë-herë ato mallkonin bukurinë e vet, ndrydhnin shpirtrat e paqtë e të ndjeshëm e në heshtje linin të shkonte dëm atë bukuri mahnitëse që Zoti jua kishte falë. Memorie.al

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re