Skip to content

Në Kukës u ul avioni i parë, reagon PD: Ai është kryeministri më i dështuar dhe më i paaftë në historinë e Shqipërisë, ta largojmë më 25 prill dhe të sjellim ndryshimin

Sot në Kukës u ul avioni i parë, por Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se është i paaftë dhe i dështuar.

PD shton se ky është eksperimenti i fundit që Rama bën me shqiptarët.

“Hapja e aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare, premtim tjetër i pambajtur i Edi Ramës. Ulja e një avioni të Air Albania në Kukës s’u bë nga Londra, siç premtoi Rama, por nga Rinasi, sepse aeroporti s’ka certifikata sigurie.

Me Ramën në krye të qeverisë, fluturimet ndërkombëtare në Aeroportin e Kukësit janë si hapja e negociatave me BE: Ato nuk ekzistojnë. Ky është eksperimenti i fundit që Rama bën me shqiptarët. Kryeministri më i dështuar dhe më i paaftë në historinë e vendit do të largohet në 25 prill nga shqiptarët që duan ndryshim” deklaron PD.

Ndërkohë, vetë Rama ka sqaruar fluturimin e sotëm me ‘’Air Albania’’ me emigrantët e Londrës, dhe uljen në Rinas për të fluturuar më pas në Kukës.

Ai tha se çdo aeroport operacion fillimisht nis si lokal, dhe më pas duhet një procedurë verifikimi për t’u bërë ndërkombëtar që zgjat 50-60 ditë.

Gjithashtu, shefi i qeverisë u tregoi se ka një intersim të lartë të kompanive për të patur fluturime nga aeroporti i ri në Kukës.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e veriut” do të ketë një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e tij të vrojtimit, ndërsa në pjesën e vendqëndrimit të avionëve, është projektuar për të mbajtur 3 avionë njëkohësisht, ndërkohë që brenda një ore mund të nisen 4 avionë nga aeroporti i Kukësit.

Terminali zë një faqe prej 3500 m2, ka 2 portat hyrëse dhe brenda saj edhe një zonë muzeale në përkujtim të luftës së Kosovës, e cila ishte edhe pikënisja e këtij aeroporti, si dhuratë e Emirateve të Bashkuara për të pritur ndihmat për refugjatët.