Gazetari Erl Murati i  ftuar në emisionin “Arena” në RTV Ora tregoi se pse kreu i partisë së PD-së, Lulzim Basha dhe opozita nuk e përmend shpalljen ‘non grata’ të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Murati u shpreh se Basha po tregohet i kujdesshëm sepse dyshimet janë që në listën e departamentit të DASH nuk janë vetëm eksponentë të mazhorancës, por mund të jenë edhe eksponentë të rëndësishëm të opozitës.

Gazetari gjithashtu kujton edhe deklaratat se edhe ish kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili i janë hequr vizat për të udhëtuar në SHBA.

Beti Njuma: Pse opozita nuk e përmend më emrin e zotit Dakos?

“Përsëri do jem në fushën e spekulimit, do mundohem t’i bëj një përkthim qëndrimit të opozitës. Por sigurisht pa folur vetë eksponentët e opozitës ne nuk mund të kemi një qëndrim dhe panoramë të qartë se çfarë po ndodh.

Por dyshimet janë që në këtë listë të departamentit të DASH nuk janë vetëm eksponentë të drejtësisë, prokurorë dhe gjyqtarë, nuk janë vetëm eksponentë të mazhorancës, por sigurisht mund të jenë edhe eksponentë të rëndësishëm të opozitës.

Ju mbani mend pak javë më parë kur kolegia e Zërit të Amerikës pyeti kryetaren e LSI-së nëse ajo kishte dijeni apo jo që nënkryetari i kësaj partie Petrit Vasili i është refuzuar hyrja në SHBA.

Prandaj dyshimi im po them është që në këtë listë nuk gjenden vetëm eksponentë të mazhorancës, por edhe eksponentë të opozitës. Prandaj zoti Basha ka vendosur të mbajë një qëndrim të kujdesshëm.

Nuk e di nëse në këtë listë është ose jo zoti Basha, por dimë gjithashtu që ka një hetim të nisur nga prokuroria e shtetit për atë çështjen e shumëpërfolur të lobimit, që quhet lobimi rus, por që nuk është në të vërtetë ashtu.

Prokuroria shqiptare e ka nisur procedurën për falsifikim të dokumenteve, pra për mosdeklarim në KQZ të financimeve dhe nuk mund të flas me siguri nëse Basha është në atë listë apo jo.

Por fakti që në këtë listë mund të ndodhen eksponentë të rëndësishëm të opozitës e bën zotin Basha të jetë i kujdesshëm, sepse edhe zoti Berisha pak muaj më parë është përfolur nga politikanët që i është refuzuar viza amerikane”, shprehet Murati. ()

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re