Prokuroria ka zbërthyer skemën e mashtrimit që kishte ngritur ish-punonjësja e Bankës së Shqipërisë, Milena Deraj, ndërkohë që ka treguar edhe shumat e majme që ka përfituara e reja.

Shoqja e saj, ajo e cila edhe ka mundur të hedh dritë mbi aktivitetin e shoqes së saj ka bërë me dije se i ka dhënë 250 mijë euro pasi ajo do t’i investonte në Bonot e Thesarit. Po ashtu ajo ka hedhur dritë edhe mbi bashkëpunimin e bashkëshortit të saj, një person i punësuar në një nga drejtoritë e rëndësishme të vendit, të cilët sipas saj e kanë mashtruar për shumë kohë në lidhje me kthimet e kësteve të shumave për të cilën kishin rënë dakord.

Por, ajo që trondit në të këtë histori qindra mijëra eurosh është fakti që në dosjen e Prokurorisë gjenden emra politikanësh, ish-prokurorësh, të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale e po ashtu edhe tendenca e saj për të folur në emër prokurorësh dhe gjyqtarësh për të mundësuar ndërhyrjen te ta për ndryshimin e masave të dënimit për një nga masakrat më të mëdha të ndodhura në vendin tonë viteve të fundit.

Megjithatë ende nuk dihet nëse gjithë skema është një mashtrim, pasi ajo pretendon se është marrë peng nga ana e familjes Ferracaku dhe se është e kërcënuar nga 4 grupe të fuqishme kriminale.

DOSJA

Në dosjen hetimore në lidhje me arrestimin e Milena Derajt, ish-punonjëse e Bankës së Shqipërisë, e cila akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda, rasti i parë bën fjalë për një shumë që Deraj ka marrë, konkretisht 340 mijë euro, ku një pjesë të tyre, ajo e ka përdorur për të investuar për një shtëpi në Salari në Tepelenës.

Ndërkohë, shtetases Elira Shyti pretendohet se Deraj i ka marrë 250 mijë euro, me pretendimin se do t’i investonte në bono thesari dhe se do të përfitonte shuma të larta me interesa. Por mësohet se ishpunonjësja e BSH-së i ka kthyer vetëm 5 mijë euro Shytit.

“Nga veprimet hetimore na rezulton se kjo shtetase ka mashtruar më shume se një herë shtetas të ndryshëm, në shuma të mëdha parash. Ditën e sotme, është paraqitur shtetasja Milena Deraj pranë drejtorisë së Policisë së Tiranës ku ka kallëzuar se është kërcënuar nga shtetasit Abedin dhe Shyqyri Ferracaku, të cilëve i kishte marrë një shumë prej 340 mijë euro për t’i ndihmuar në një çështje gjyqësore në prokurorinë e Shkodrës, por pasi ka marrë këtë shumë parash, ka investuar një pjesë të tyre në një shtëpi në fshatin Salari në Tepelenë, duke mos jua kthyer më këto para.

Po ashtu një tjetër shtetase, Elira Shyti, person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por dhe e pranishme gjatë zhvillimit të ngjarjeve, e cila ka kallëzuar se Deraj e ka mashtruar atë në shumë prej 250 mijë euro, me pretendimin se do t’i investonte në bono thesari dhe se do të përfitonte shuma të larta me interesa. Por në fakt në total Milena i ka dhënë një shumë prej 5 mijë eurosh, e më pas pjesën tjetër të parave nuk ja ka kthyer më, por as duke përmbushur qëllimin për të cilin kishte marrë paratë“, thuhet në dosjen hetimore.

MASHTRUESJA U NDIHMUA NGA I SHOQI

Në denoncimin që bëri në prokurori, shoqja e mashtrueses Milena Deraj tregoi se i kishte dhënë shuma të ndryshme punonjëses së Bankës së Shqipërisë herë 10, herë 20 mijë euro deri sa shuma kishte arritur në 225 mijë euro, me premtimin se paratë do të investoheshin në bono thesari.

Por pasi kishte kaluar periudha kur duhej të merrte interesat kanë nisur shqetësimet e para. Elira Shyti ka takuar bashkëshortin e Milena Derajt, Genci Derajn për të cilin kishte dëgjuar se punonte në Kryeministri.

Ky i fundit e kishte siguruar se paratë do t’i merrte të gjitha, çka shton dyshimet se burrë e grua vepronin së bashku.

“Pasi kaloi periudha që Elira priste të merrte kthimin e investimit të saj, Milena ka filluar të shtyjë datat duke i thënë se vonesat ishin për shkak të procedurave të Bankës. Në një nga herët e shumta që i ka kërkuar Milenës që t’i kthente paratë, Milena ka kryer një transaksion në shumën prej 20 000 Euro në një bankë, para të cilat shtetasja thotë se nuk i janë kredituar kurrë në llogarinë e saj.

Gjatë kontakteve për problemin e saj me Milenën, ka njohur edhe bashkëshortin e saj i cili quhet Genci Deraj. Genci në të gjitha kontaktet që ajo ka pasur i ka thënë të ketë besim pasi do t’i merrte lekët e saj dhe madje edhe fitimin që i kishte premtuar edhe Milena. Pasi kaloi shumë kohë dhe Milena vazhdonte i shtynte afatet se do i kthente lekët, pas shumë insistimeve të saj, ka arritur të bindë Milenën qe t’i njihte detyrimin që i kishte, para një noteri në mënyrë që të kishte një dokument zyrtar për gjithë paratë që ajo i kishte marrë.

Shtetësia thotë se Milena e ka mashtruar vazhdimisht duke e mbajtur me shpresa dhe duke përdorur pozicionin e saj si punonjëse e Bankës së Shqipërisë”, thuhet në dosjen për mashtruesen Milena Deraj.

Ndërkohë që shoqja priste paratë me gjithë interesat, Milena Deraj ka pranuar në prokurori se kishte investuar 200 mijë euro për ndërtimin e një shtëpie në Salari të Tepelenës me punime guri.

DËSHMIA E AFËRDITA VERRACAKUT

Afërdita Verracaku, e cila ka lidhur punonjësen e Kuvendit të Shqipërisë, Milena Derajn me familjarët e saj për të zgjidhur çështjen e një gjyqi ka dhënë dëshminë në prokurori. Prezantimin me Derajn ia ka bërë Elira Shyti, të cilën e ka pasur mikeshë, rreth para dy vitesh.

Sipas Prokurorisë, ajo rrëfeu se Milena i thoshte gjithashtu se bashkëshorti i saj punonte te Ministria e Brendshme dhe se kishte njohje të rëndësishme gjithashtu i kishte mundësi t’i nxirrte pasaporta shqiptare. Për një pasaportë të nxjerrë me ndihmën e burrit duheshin vetëm 10.000 (dhjetë mijë) euro, por edhe kjo shumë Afërdita Verracakut i është dukur e ekzagjeruar. Më pas i ka folur për njohjet e saj të shumta në Prokurori dhe në Gjyqësorin Shqiptar, e pikërisht në këtë moment Verracaku i ka përmendur “hallin e familjes së saj”.

“Janë interesuar në të njohurit tanë të ndryshëm lidhur me Milenën dhe se çfarë përfaqësonte në publik. Kanë dëgjuar se kjo shtetase ishte duke investuar për të ndërtuar një pallat me Tom Doshin. Duke qenë se kanë marrëdhënie familjare me këtë të fundit kanë shkuar e kanë takuar te zyrat e tij, dhe ku e kanë takuar ai dhe Abedini, në këtë takim Tom Doshi i ka thënë se këtë shtetase e njeh si emër por që kjo e fundit është mashtruese dhe nuk po investojnë së bashku në asnjë pronë, por edhe të mos merren më me të.

Pas disa ditësh datën nuk e mban mend fiks Abedini ka takuar Milenën dhe kanë shkuar pranë zyrave të zotit Tom Doshi, i cili nuk ka qenë prezent, por nëpërmjet telefonatës që ka bërë me Abedinin e ka rikonfirmuar që Milena po i mashtronte dhe se nuk kishte asnjë lidhje me të, ndryshe nga sa deklaronte Milena se ajo vetë po investonte për ndërtimin e një pallati me Tom Doshin. Abedini në këtë moment i ka thënë Milenës që ti kthejë paratë e tyre mbrapsht, madje i ka thënë ti mbajë dhe 50.000 euro, nga lekët e marra vetëm ti kthej pjesën e mbetur pasi këta të fundit ishin në hall nga proceset gjyqësore dhe i duheshin paratë”, rrëfen ajo.

Por thekson se në asnjë moment nuk kanë shkuar në Shkodër, atje ku Milena pretendon se është mbajtur peng 2-3 orë, madje shton se Abedin Verracaku jo vetëm që nuk i ka kërkuar 540 mijë euro nga 340 që i dha fillimisht, por edhe i tha që të mbante 50 mijë nga shuma totale për “mundimin”. Dëshmi kjo që bie ndesh me atë që ka denoncuar Deraj në Policinë e Tiranës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re