Në të gjithë Türkiyen, kompani të shumta, institucione publike, universitete dhe qytetarë të thjeshtë kanë vendosur të bojkotojnë produktet e markave që mbështesin Izraelin.

Ky vendim erdhi si përgjigje ndaj sulmeve brutale izraelite në Rripin e Gazës. Së pari, parlamenti turk njoftoi se nuk do të përdorë më produktet e kompanive që mbështesin agresionin e Izraelit.

“Në Kuvendin e Madh Kombëtar të Türkiyes, nuk do të përdorim asnjë produkt të kompanive që mbështesin agresionin izraelit”, tha kryeparlamentari turk, Numan Kurtulmuş. “Tani e tutje nuk do të blejmë asgjë dhe do ta hedhim atë që kemi blerë më parë”, shtoi ai.

Më pas Universiteti i Bosforit (Bogaziçi) në Istanbul njoftoi se ka vendosur që të pezullohet shitja e produkteve të markave që mbështesin politikën pushtuese izraelite në këtë institucion arsimor. “Kemi marrë vendim që të ndalojmë shitjen e produkteve të markave që mbështesin politikën okupuese izraelite në objektet e Universitetit Bogaziçi derisa Izraeli të tërhiqet nga territoret e pushtuara palestineze”, thuhet në deklaratë.

Universiteti i Bosforit (Bogazici) është një nga universitetet më të mira në Türkiye dhe ndër universitetet më të njohura në Evropë.

Universiteti Teknik Karadeniz (KTU) dhe Universiteti i Trabzonit kanë vendosur të ndalojnë blerjen e produkteve nga markat që mbështesin Izraelin. “Ne qëndrojmë me Palestinën dhe kjo është arsyeja pse filluam bojkotin. Objektet tona brenda Universitetit të Trabzonit nuk do të shesin më produkte nga markat që dihet se ofrojnë mbështetje ekonomike për krimet izraelite kundër njerëzimit në Gaza”, tha ai.

Universiteti Bezmialem i Türkiyes ka njoftuar se ka pezulluar shitjen e markave të njohura që mbështesin krimet izraelite kundër njerëzimit në Palestinë dhe Gaza në mensat, kafenetë dhe të gjitha ambientet e këtij institucioni arsimor.

Kompania Ordu Enerji AS, e cila operon në kuadër të komunës turke Ordu, ka njoftuar se ka ndërprerë kontratën me një kompani izraelite për investimin në energji në vlerë prej 150 milionë dollarësh. Kryetari i Ordu-s, Mehmet Hilmi Guler tha se “bojkoti është vullnet kombëtar”.

Në ndërtesat komunale në qytetin Osmaniye është ndalur shitja e produkteve izraelite.

Kryebashkiaku Omer Tarhan njoftoi se dënojnë me forcë sulmet izraelite në Gaza dhe se kanë vendosur të bojkotojnë produktet izraelite. “Për fat të keq, Izraeli po kryen gjenocid kundër vëllezërve tanë muslimanë në Gaza. Prandaj, në shenjë proteste, ne kemi hequr produktet izraelite nga raftet e objekteve tona”, tha ai.

Më 4 nëntor, komunat në Hatay të Türkiyes pezulluan shitjen e produkteve izraelite në objektet e tyre. Kompanitë dhe qytetarët në vende të tjera kanë nisur gjithashtu bojkotimin e produkteve dhe kompanive izraelite që mbështesin Izraelin.

Izraeli nisi sulme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.

Të paktën 10.569 palestinezë, përfshirë 4.324 fëmijë dhe 2.823 gra, janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza. Ndërkohë, numri i izraelitëve të vdekur ka arritur në afër 1.600, sipas shifrave zyrtare. Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjes masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2.3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re