Ushtria e Mianmarit ka arrestuar disa anëtarë të lartë të partisë së ish-këshilltares së shtetit, Aung San Suu Kyi, në një valë të re arrestimesh në vend, bëri të ditur një zyrtar i Partisë Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Në mesin e të arrestuarve të mërkurën ishin Tun Tun Hein, nënkryetari i dhomës së ulët të parlamentit të Mianmarit dhe kryeministrat e pesë rajoneve, përfshirë shtetin e paqëndrueshëm perëndimor Rakhine, tha për AA zyrtari i NLD-së duke kërkuar të mbetet anonim për shkak të frikës së hakmarrjes.

Gjithashtu është arrestuar edhe Kyaw Tint Swe, një nga anëtarët e qeverisë që u përmbys pas grushtit ushtarak, së bashku me katër persona të tjerë që e shoqëronin atë.

Përveç zyrtarëve të NLD-së, raportet e mediave lokale thanë se dhjetëra njerëz, të cilët ishin në krye të organeve zgjedhore komunale gjatë zgjedhjeve të nëntorit të kaluar, u arrestuan nga forcat e sigurisë.

Arrestimet nuk kanë arritur të pengojnë protestuesit nga tubimet dhe demonstratat e mëdha të cilat vazhduan të enjten në disa qytete të Mianmarit.

Puçi ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, e njohur si Tatmadaw, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në fillim të këtij muaji, disa orë pasi burgosi presidentin Win Myint, ministren e Jashtme Aung San Suu Kyi dhe anëtarët e tjerë kryesorë të Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD) në pushtet.

Grushti ushtarak erdhi disa orë para seancës së parë të parlamentit të ri pas zgjedhjeve të nëntorit të kaluar në të cilat NLD e Suu Kyi fitoi. Ushtria justifikon marrjen e pushtetit nga “mashtrimi i votuesve” në qendrat e votimit.

Kujtojmë se heshtja e Suu Kyi ndaj masakrës së muslimanëve Rohingya dhe mbrojtja e gjenocidit ushtarak kanë tërhequr kritika të ashpra në të gjithë botën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re