Familja Stojna me tre anëtarë, jeton në fshatin Rrajcë në Përrenjas. Dy vite më parë  Ylli, Merjona e nëna e tyre Suzana do të përballeshin me sprovën më të rëndë… babai i dy fëmijëve ndërroi jetë si pasojë e një sëmundje të pashërueshme.

Mes lotësh, Merjona 15 vjeçe kujton me dhimbje vuajtjet e shumta që i ati përjetoi vitet e fundit të jetës.

“Quhem Merjona Stojna, 15 vjeç, jetojmë në fshatin Rrajcë Skënderbe… jeta e babit ka shkuar nga njëri spital në tjetrin. I plasi hemorragjia dhe aty nuk kishte më forca për të jetuar. Ka qenë dita më e keqe që kam kaluar në jetë dita kur…”-rrëfeu mes lotëve 15 vjeçarja.

Edhe më të dhimbshme janë kujtimet e Yllit, 16 vjeç. Ai ishte pranë të atit në momentet e fundit të jetës.

“Jetoj me main e motrën, babi ndërroi jetë para dy viteve pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme.Gjatë momenteve të fundit, më kapi përdore e më tha bëhu i fortë, të punosh e të mbash mamin e motrën… se babi kaq i kishte ditët. Ky ishte amaneti i fundit që kishte. Unë isha shumë i lidhur me babin, shumë e doja.”-tregoi Ylli.

Kushtet në të cilat jetojnë dy jetimët me të ëmën, janë të mjerueshme.

Merjona: Kushtet e shtëpisë janë shumë të vështira, e nga çasti në çast mund edhe të shembet. Muret janë plasur, e sa herë bie shi, uji hyn brenda. Gjithçka është e shkatërruar… këtu nuk mund të jetoj dot më, kam frikë natën se mund të na bjerë tavani. Kemi patur plot raste që kemi mbetur pa ngrënë, s’kemi patur çfarë të bëjmë.

Ylli: Ndonjëherë paguaj makinë që të shkoj poshtë, në shkollë. Kur s’kam patur mundësi, kam shkuar në këmbë, jam nisur dy orë përpara që të arrija.

Suzana, nëna: Unë kaq kam mundësi, të kujdesem për fëmijët. Shumë më dhimbsen, por mundësitë janë të pakta. Këtu nuk ka punë, 48 mijë lekë të vjetra marrim asistencë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re