Skip to content

Ne në Europë po përcëllohemi, por ç’po ndodh në Amerikën Latine?

Një valë e paparë e të ftohtit po godet Argjentinën, Kilin dhe Uruguain, duke vrarë të paktën 15 persona dhe duke i detyruar qeveritë të vendosin kufizime në përdorimin e gazit natyror dhe të krijojnë strehimore emergjente.

Një masë ajri polar nga Antarktida po ndikon në rajon, duke ulur temperaturat shumë nën 0° Celsius në këto tre vende të Amerikës Latine.

Të paktën nëntë persona të pastrehë kanë vdekur në Argjentinë për shkak të të ftohtit këtë dimër, sipas organizatës joqeveritare Proyecto 7.

Në Buenos Aires, temperatura ra në -1.9°C të mërkurën, temperatura më e ulët në 34 vjet. Ndërprerjet e energjisë elektrike të shkaktuara nga kërkesa e lartë lanë mijëra njerëz pa energji elektrike për më shumë se 24 orë në disa zona.

Bora ka mbuluar edhe plazhet Atlantike të Argjentinës, ndërsa në komunitetin e vogël të Macinchao në Patagoni, temperaturat ranë në -18°C të martën.

Qeveria e vendit pezulloi furnizimin me gaz natyror për bizneset dhe stacionet e benzinës të mërkurën për të siguruar që të kishte mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e familjeve.

Autoritetet në Uruguai, ku temperaturat ranë nën zero në disa zona, shpallën një “alarm të kuq” mbarëkombëtar pasi gjashtë persona vdiqën. Sipas alarmit të kuq, qeveria mund t’i zhvendosë të pastrehët në strehimore të përkohshme.

Në Montevideo, temperatura më e lartë e regjistruar më 30 qershor ishte 5.8°C, më e ulëta që nga viti 1967, sipas meteorologut Mario Bidegain.

Kili gjithashtu aktivizoi planin e tij të strehimit për të pastrehët. Në qytetin Chilan, 400 kilometra në jug të Santiagos, termometri tregoi -9.3°C, sipas agjencisë meteorologjike të vendit.

Bora ra në pjesë të Shkretëtirës Atacama, më e thata në botë, për herë të parë në një dekadë.

“Ajo që po ndodh këtë javë në Kili dhe më gjerësisht në Bririn e Amerikës së Jugut është një valë e ftohtë e shkaktuar nga lëvizja masive e ajrit polar nga Antarktida”, tha Raul Cordero, një klimatolog në Universitetin e Santiagos.