Familja shqiptare është në krizë. Shifrat më të fundit të INSTAT i referohen vitit 2017, ku numërohen 4500 divorce. Nga këto 80% e kërkesave për divorc në gjykatë është regjistruar nga gratë. Ekspertët ligjorë vlerësojnë se shkaku kryesor është dhuna ndaj grave, por të shoqëruara këto me probleme ekonomike për shkak të papunësisë apo bixhozit.

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, përfaqësues të besimeve fetare në Tiranë bëjnë thirje për ta mbrojtur atë duke e kosideruar familjen të shenjtë, pasi pasojat e ndarjeve të prindërve i vuajnë shumë fëmijët e tyre.

Fatma Karaj, përgjegjëse e Zyrës së Gruas në Komunitetin Mysliman, thotë se “fëmijëve u ndalet zhvillimi”.

Kriza e familjes shqiptare nisi të bëhej e dukshme pas viteve ‘90 dhe po t’u referohesh shifrave të Instat-it janë 677 mijë çifte që kanë lidhur martesë duke bërë betimin “derisa vdekja të na ndajë”, por mbi 80 mijë çifte nuk i kanë qëndruar këtij betimi. Sociologë dhe psikologë bëhen bashkë kur thonë se fëmijët të cilët janë rritur me prindër të ndarë shfaqin probleme në shoqëri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re