Skip to content

“Ne nuk do të dorëzohemi”/ Rama për përmbytjet: Lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë podcastit të sotëm, “Flasim”, se do të merren masa ligjor ndaj personave që hedhin plehrat jo në zonat e caktuara.

Rama, përpos kushteve atmosferike dhe infrastrukturës, bëri me faj dhe qytetarët, të cilët si pasojë e hedhjes së mbeturinave nëpër kanalet kulluese, kanë një peshë të mirë të përgjegjësisë për përmbytjet.

“Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.

Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM”, tha Rama.

Kujtojmë se, vendi ynë ka hyrë në ditën e gjashtë të përmbytjeve, ku situata vijon të jetë e vështirë në disa zona.

Qarku i Durrësit ka qenë një ndër më të prekurit nga reshjet e shiut të ditëve të fundit.

Sipas njoftimit të autoriteteve në Bashkinë Durrës janë evakuuar 848 banorë dhe vazhdon puna për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga uji nëpër banesa. Sakaq, në Sukth 2800 ha tokë ndodhen ende nën “pushtetin e ujit”.

Problematika ka edhe në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Fier, Lezhë, Shkodër dhe Korçë.