Në prag të festave të fund vitit Ministria e Shëndetësisë ka miratuar masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Në këtë mënyrë ndalohen organizimet e pritjeve për Vitin e Ri në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Masat do të jenë të vlefshme deri më 11 janar. Ndalimi i daljes nga objektet e banimit nga ora 10 deri në 5 të mëngjesit do të jetë ende në fuqi, me përjashtim të festave fetare. Gjatë festave fetare , natën midis 24 dhe 25 dhjetorit , natën midis 5 dhe 6 janarit, si dhe natën midis 6 dhe 7 janar, lejohen daljet nga objektet e banimit për të marrë pjesë në ceremonitë fetare nën kushtet e përcaktuara për ceremonitë fetare , ka beret e ditur Ministria e Shëndetësisë. Sipas masave të reja, ritet fetare në prani të besimtarëve duhet të kryhen në një mënyrë të atillë që të sigurohen të paktën katër metra katrorë për person, mbajtja e maskës dhe distanca prej dy metrash, si dhe aktiviteti mos të zgjasë më shumë se 30 minuta. Me këto masa parashihet që edhe shtetasit e huaj që dëshirojnë të hyjnë në Mal të Zi u duhet një test negativ PCR jo më i vjetër se 72 orë.
Titull: Zëvëndëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq vizitoi Ulqinin
Zv.Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i shoqëruar nga ministri i financave Millojko Spajiq dhe ai i ekologjisë dhe planifikimit hapësinor, Ratko Mitroviq, qëndruan për vizitë në Ulqin. Ata u takuan me zyrtarët më të lartë të Komunës, me të cilët diskutuan për problemet e qeverisjes lokale por edhe planifikimet për të ardhmen. Sipas Abazoviq, Ulqini është qyteti me potencialet më të mëdha në Mal te Zi dhe qeveria e re do të punojë që Ulqini të mos jetë i diskriminuar si në të kaluarën. Kryetari i Komunës Loro Nrekiq, nga ana e tij tha se zhvillimi i Ulqinit mund të arrihet vetëm me angazhimin e të gjithëve pa marrë parasysh qasjet politike, dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim edhe me qeverinë e re në këtë drejtim. Më pas, delegacioni qeveritar vizitoi Kriporen e Ulqinit , ku Abazoviq siguroi se qeveria e re do ta zgjidhë shpejt çështjen e pronësisë, me çka do ti hapet rrugë edhe procesit të rivitalizimit të kësaj zone dhe fillimit të prodhimit të kripës. Vizita vazhdoi në ishullin Ada për tu njoftuar nga afër me problemin e erozionit të këtij ishulli, si dhe me problemet dhe kërkesat e qiramarrësve të objekteve të përkohshme. Gjate qëndrimit ne Ulqin zëvendës kryeministri Abazoviq vizitoi edhe ullishten e Valdanosit, kthimi i së cilës po zvarritet me pretekste të ndryshme tash sa e sa vite ku u propozua organizimi I një tryeze te rrumbullaket për te gjetur zgjidhjen me te mire për ullishtën e Valdanosit. Abazoviq nga ana e tij shtoi se kjo çështje është zvarritur së tepërmi dhe apeloi që në mënyrë legale, pronat tu kthehen ish pronarëve. Sipas tij, Valdanosi asnjëherë nuk është kthyer në atë se për çka u nacionalizua, dhe duhet tu kthehet pronarëve pasi vetëm ata mund të kujdesën për këta ullinj ashtu si e meritojnë.
Titull: Vërehet fluks i dendur i kolonave në pikën kufitare Sukubinë – Muriqan
Ditëve të fundit po vërehen kolona të gjata auto veturash që kalojnë pikën kufitare Sukubinë – Muriqan që lidh Malin e Zi me Shqipërinë. Janë këtë mërgimtarë nga shtete të ndryshme të Evropës Perëndimore që vijnë në vendlindje për të kaluar festat e fund vitit. Merret vesh se në pikën kufitare është punuar me kapacitet të plotë ku janë aktivizuar tre sportele nga të dyja palët. Nga data 14 deri me 21 dhjetor në pikën kufitare Sukubinë- Muriqan kanë kaluar 3.858 udhëtarë vendas, dhe 16,940 të huaj, pra për një javë në këtë pike kufitare kanë kaluar nga të dy anët rreth 21 mijë udhëtar. Shumica e mërgimtarëve nuk kanë mundur që ta vizitojnë vendlindjen gjatë verës për shkak të pandemisë së koronavirusit ,andaj shumica nga ata shfrytëzuan festat e fund vitit për të vizituar familjet e tyre.
Titull: Shqipëria, do të financojë rindërtimin e shkollës së vetme në gjuhën shqipe në Dacaj-Rozhajë
Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të shkollës shqipe ‘Dacaj’ në Rozhajë – e vetmja shkollë shqipe në atë vend – kemi vendosur të marrim përsipër një pjesë të rindërtimit të saj pas dëmeve madhore të shkaktuara nga zjarri në muajin maj. Nga Qeveria shqiptare thuhet se shkolla fillore më e vjetër në Mal të Zi dhe shkolla e vetme fillore në Rozhajë duhet të ruhet dhe të mbahet e hapur sepse kjo është një qendër domethënëse e arsimit shqip në Mal të Zi. Për këtë nuk do të kujdesemi vetëm duke rindërtuar godinën, por edhe duke siguruar materialet e nevojshme arsimore për të gjithë nxënësit shqiptarë atje thuhet në njoftim . Përderisa një pjesë të shpenzimeve për rindërtimin e kësaj shkolle i ka dhënë Republika e Kosovës, pjesën e mbetur për rindërtim, rregullim e mbështetje të nxënësve do ta mbulojë plotësisht Republika e Shqipërisë.
Titull: Shqipëria mbështet financiarisht pasurimin e bibliotekave në Tuz
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj, njoftoi se qeveria shqiptare ka vendosur të marrë përsipër mbështetjen financiare për ripërtëritjen e bibliotekave të dy shkollave në gjuhën shqipe në qytetin e Tuzit, shkollës fillore ‘Mahmut Lekiq’ dhe shkollës së mesme “25 Maj”. Pas financimit të projektit të librarisë së parë me literaturë në gjuhën shqipe në qytetin e Ulqinit, tani kemi vendosur të marrim përsipër mbështetjen financiare për ripërtëritjen e bibliotekave të dy shkollave në gjuhën shqipe në qytetin e Tuzit, shkollës fillore ‘Mahmut Lekić’ dhe shkollës së mesme ‘25 Maj’. Kjo e fundit është shkolla e vetme e mesme në të gjithë rajonin e Podgoricës. Po ashtu, ne kemi marrë përsipër edhe pajisjen e plotë me literaturë bashkëkohore shqipe për këto dy shkolla. Derisa të ndodhë funksionalizimi i plotë i Fondit Ndër-Shtetëror për Mbështetjen Financiare të Shqiptarëve në Mal të Zi, ne gjithsesi do të vijojmë mbështetjen për projekte të ndryshme në të mirë të shqiptarëve atje, veçanërisht në ruajtjen e ngritjen e arsimit në gjuhën shqipe. Në ndërkohë për një kohë të shkurtër do të hapim edhe Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Ulqin ka deklaruar Cakaj.
Titull: Shënon ulje numri i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi
Në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e koronavirusit e kanë humbur jetën 7 persona dhe janë vërtetuar 258 raste të reja të infeksionit , është kumtuar nga Instituti për shëndetin publik i Malit të Zi. Theksohet se laboratorët e Institutit për shëndetin publik dhe laboratorët e tjera publike dhe private të cilat bëjnë diagnostikimin e infektimit me koronavirus , deri dje në ora 17 kanë bere analizat e 1096 mostrave. Numri i përgjithshëm i të vdekurve , si pasojë e infektimit me Covid 19, prej fillimit të qershorit është 628, kurse prej fillimit të vitit 637. Deri dje në ora 17, është konfirmuar edhe shërimi I 580 pacientëve. Duke pasur parasysh rastet e reja të zbuluara , si dhe numrin e personave të shëruar, numri i përgjithshëm aktiv aktual i rasteve me Covid 19 në Mal të Zi është 8 mijë e 830 persona. Prej fillimit të vitit numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të infektimit me koronavirus është 42 mijë e 542 persona.
Për Zërin e Turqisë nga Mali I Zi përgatiti Vera Alibegu Katana
