Një mega-operacion është finalizuar nga Prokuroria e Posaçme dhe nga Policia ku janë goditur zyrtarë të lartë dhe biznesmenë.

 

SPAK ka vënë në pranga Oltion Bistrin, i cili deri para pak ditësh ishte kreu i Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas largimit të tij nga ky post, Bistri u emërua specialist në drejtorinë e krimeve e ndërsa më heret ai ka mbajtur edhe pozicione të tjera të larta si shef Komisariati në Tiranë, drejtor në Durrës, Lezhë etj.

 

Në pranga ka rënë gjithashtu edhe drejtuesi i prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita si dhe biznesmeni i lojërave të fatit dhe të ndërtimit Pëllumb Gjoka. Pas hetimeve janë arrestuar gjithashtu edhe anëtari i bandës së Bajrave në Shkodër, Astmer Bilali, ish-efektivi Ardit Hasanbegaj dhe Edmond Preka, ky i fundit shoqërues i biznesmenit Gjoka.

 

Burime bëjnë të ditur se janë mbi 15 urdhër-arreste te firmosura  por deri me tani jane ekzekutuar vetëm 6. Disa prej të kërkuarve rezultojne te jene jashtë vendit. Mësohet gjithashtu se në listën e të kërkuarve janë edhe anëtarë të familjes Bajri në Shkodër.Nderkohe janë sekuestruar armë dhe municione si dhe prova të tjera materiale.

 

Në kuadër të këtij operacioni policia ka zbarkuar edhe në banesën e mbretit të lojërave të fatit Ervis Martinaj. Ky i fundit prej më shumë se 1 vit rezulton i zhdukur. Mësohet gjithashtu se SPAK ka lëshuar një urdhër të dytë arrestimi për Martinajn pas atij të lëshuar më heret në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’. Në kërkim është edhe miku i Martinajt, Elion Hato, i cili ishte i përfshirë në masakrën në zonën e ish-Bllokut.

 

Burime bëjnë me dije se Hato në bashkëpunim me ish-efektivin Hasanbegaj, i cili më heret ka qënë me detyrë në Shkodër, kishin lidhje me grupet kriminale dhe kanë siguruar mjetet për të vrarë Dorjan Dhulin dhe Ibrahim Licin kundershtare te Bajrave.

 

Në dosje thuhet gjithashtu se Ervis Martinaj, bashkë me Behar Bajrin, Pëllumb Gjokën dhe Edmond Prekën janë të përfshirë në vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020 në Vaun e Dejës. Ish-zyrtari i lartë i policisë Oltion Bistri, akuzohet për shpërdorim detyre pasi dyshohet se ka nxjerrë aktet sekrete.

 

E sa i takon prokurorit Xhevahir Lita, ky i fundit akuzohet se në kohën që ka qënë me detyrë në Shkodër ka mbyllur dosjet per ngjarjet ku ishin të përfshirë bandat kriminale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re