Në një kohë që pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme pritet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, struktura e specializuar e policisë gjyqësore pritet të kthehet në atë që ambasadori amerikan Lu e krahasoi me filmin hollivudian “Të Paprekshmit”.

Ndër hapat e parë të prokurorëve të SPAK do të jetë ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, struktura që mund të konsiderohet ndryshe “dora e hekurt’’ e prokurorisë speciale antikorrupsion.

Fillimisht BKH u krahasua me FBI amerikane, ndaj dhe oficeret e saj. Ambasada amerikane ka njoftuar se oficerët shqiptarë po trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia.

Janë 60 vetë që tashmë prej muajsh kanë marrë të gjithë eksperiencën e nevojshme për praktikat më të mira perëndimore dhe do të kenë në dispozicion pajisjet me moderne të hetimit.

Vetë oficerët do t’i nënshtrohen makinës së të vërtetës. Pak më parë kjo pajisje u publikua pas një takimi që zyrtarë të ambasadës amerikane patën me ata shqiptarë. Drejtorit dhe anëtarëve të BKH-së do t’u monitorohen llogaritë bankare për tu siguruar që kryejnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.

Ligji mbi SPAK-un po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjet e hetuesve të BKH, drejtori i së cilës do të zgjidhet nga tre anëtarët e prokurorisë së posaçme.

Në duart e prokurorëve të posaçëm do të dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar.

Prokurorët e SPAK mund të hetojnë që nga Presidenti, Kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësitë Qeverisë ose jo. (A2)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re