Në vendin ku dikur ishte shtëpia e tyre prej 4 brezash, Andon Koço gjen sot një kantier ndërtimi anonim, me mbishkrimin që nuk lejohet që të kalojë askush aty.

Fax News ndodhet në Jalë, aty ku po bëhet një nga masakrat më të mëdha me pronat, ku është shembur natën banesa e familjes Koço, e në truallin e saj është duke u ngritur një resort luksoz, me pronarë të lidhur ngushtësisht me politikën.

Me shembjen e qëllimshme të banesës, u tentua që të zhdukej dhe një pjesë e mirë e kujtimeve të familjes Koço, të cilën nipi i kësaj familje na e rrëfen përmes fotove. Si u tjetërsuar prona e familjes së tyre, në një tokë bujqësore, për tiu dhënë më pas përmes dokumenteve të falsifikuara, të afërmve të deputetit socialist Damian Gjiknuri.

Andon Koço dhe familjarë të tij, kërcënojnë se do të ngujohen brenda kantierit që m e shpejtësi po iu jep jetë vilave, edhe pse Gjykata e Shkallës së parë dy vite më parë do të bllokonte punimet. Me një vendim  të marrë në nxitim e sipër, ishte Apeli i Vlorës, ai që rrëzoi familjarët, të cilët u njoftuan vetëm dy ditë përpara dhënies së vendimit.

Spiro Koço, emigroi herët në SHBA, për t’u kthyer dhe për të investuar më pas në Jalë, një fshat i virgjër që sot po kafshohet nga të gjitha anët.

Në hyrje të kantierit Andon Koço tregon: I kujt është ky kantier, këtu ishte shtëpia jonë, shtëpia jonë tradicionale, na kanë vënë një dryn në pronën tonë, e kanë blindosur gjithçka, anonimat, se kush janë dhe se çfarë bëjnë! Sa të kemi frymë do të përpiqemi të mbrojmë pronën tonë, do të ngujohemi këtu derisa ta zgjidhim, është prona e familjes sonë, presim që prona të shkojë te i zoti.

Çfarë paradoksi mund të jetë, që ne na ndalohet hyrja në pronën tonë, si do hynte Spiro në pronën e tij, nëse do të ishte sot gjallë! Do ngujohemi derisa të ndalojmë punimet, nuk na ndalin dot njerëz që janë të veshur me pushtet. Ata që kanë qenë, që janë dhe ata që ndoshta do të jenë më vonë, Gërmohet mbi pronën tonë, njësoj sikur të nxjerrësh kockat e të varorrosurve, të të parëve të tyre. Do të rri këtu, ditë, muaj, derisa të gjejmë zgjidhjen, që do të jetë edhe e karakterit ligjor.

Janë në dijeni të gjitha instancat për këtë katrahurë, për këtë krim. Çfarë krimi mund ta quajmë këtë?

Përmes fotove, Andon Koço zbulon për banesën që iu shemb, e ndërtuar me gurë shekullorë: Janë momente trishtuese, para një viti e gjysmë kjo shtëpi u shemb në mes të natës, vjedhurazi, me të cilën shuajtën gjithçka për origjinën e familjes sime. Unë jam një prej pinjollëve të asaj familje, e ndjej për detyrë që kjo shtëpi të rilindë dhe njëherë, ashtu siç ishte. E vjetër, tradicionale përballë kësaj katrahure.  Në oborrin e banesës kishte 100 pemë, Spiro dhe fëmijët e tij emigruan në Amerikë, dhe u kthyen dhe investuan sërish te kjo banesë, në vitin 33, kanë blerë një paisje për të nxjerrë ujë.

Përmes ligjit 7501, prona e familjes Koço është konsideruar tokë shtetërore, ndërkohë që sipas Andonit, në tjetërsimin e kësaj prone kanë ndërhyrë disa institucione.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re