Instituti i Studimeve Politike ka bërë një analizë ecurinë e tranzicionit në Shqipëri (1990-2019).

Pas një analize të hollësishme ISP ka arritur në përfundimin se Shqipëria ka humbur shumë shanse, kohë dhe energji dhe se përgjegjës kryesorë janë elitat politike të korruptuara dhe konfliktuale që na kanë drejtuar.

“Për shkak se sistemi shumëpartiak krijoi piramidat e reja partiake, në të cilat kryetarët u bënë liderë dhe më pas edhe “pronarë” të partive, funksioni real konkurrues dhe zhvillues i partive u dëmtua dhe se fatet e vendit u përcaktuan nga emrat e veçantë të politikanëve.

Rrallë gjen një vend tjetër në Evropë ku të njëjtët politikanë që nisën tranzicionin vijojnë të jenë në politikën vendimmarrëse edhe pas 29 vitesh, ashtu siç rrallë gjen vend tjetër në Europë ku politikanët që kanë më shumë se dy dekada në politikë nuk pranojnë asnjë përgjegjësi personale, por gjithnjë përdorin retorikë fajësimi kolektiv për palët e tjera për të gjitha dështimet e tranzicionit”, thuhet në analizën e ISP-së.

Sipas së njëjtës analizë, rrallë gjen vend tjetër në Europë ku të njëjtit individë – politikanë kanë bërë “luftën” dhe “paqen”, pra kanë krijuar kriza permanente politike dhe janë ofruar pastaj me marrëveshje politike si shpëtimtarët e daljes nga krizat,  pa marrë asnjë përgjegjësi për dështimet, por duke marrë të gjitha meritat për sukseset.

“Ata mbështeten, financohen, mbrohen dhe adhurohen nga mbështetësit e tyre, dhe për pasojë, secili prej tyre ka krijuar “pashallëkun” e vet, ku sundojnë duke refuzuar kritikat dhe ndryshimin, ku agjendat personale i kthejnë në agjenda politike të vendit, ku pasionet personale i kthejnë në politika shtetërore,  ku lidhjet personale i shpërblejnë me pushtet dhe para dhe ku mirëqenien personale e matin si standard për mirëqenien e të gjithë qytetarëve’, konstatohet në analizë.

Instituti i Studimeve Politike ka analizuar ecurinë e karrierës së liderëve kryesorë politikë, të cilët janë vetë ose përmes partive të tyre aktivë në parlament (PS, PD, LSI, PR, PSD, PBDNJ, LZHK, PDK, PDIU), duke përfshirë në listë edhe ish kryetarin e PS  Fatos Nano.

Për shkak të pushtetit të madh të kryetarit të bashkisë Tiranë, në dy rastet (Rama e Basha) vitet e karrierës në krye të bashkisë janë lexuar si vite ushtrimi të pushtetit, pasi edhe në aspektin përmbajtësor, pushteti i kryetarit të bashkisë Tiranë është shumë më i madh sesa pushteti i shumë prej kryetarëve të partive të vogla që mbijetojnë në politikë përmes koalicioneve me partitë e mëdha.

Tabela e mëposhtme  tregon se liderit aktualë politikë kanë vite të tëra në pushtet, dhe disa prej tyre janë prej 29 vitesh në politikën drejtuese.

Pyetje është: kur fakti është ky që paraqitet në tabelë, si është e mundur që politikanë me poste drejtuese për dy ose më shumë dekada, me më shumë se nga një dekadë në pushtet, – vijojnë të përdorin sot retorikë kundër establishmentit politik, vijojnë të fajësojnë të tjerët për gjithçka dhe vijojnë të në thonë se ata janë zgjidhja, alternativa më e mirë dhe e ardhmja jonë?

Në fakt, ata vetë janë establishmenti, ata vetë janë problemi. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re